Ulqin: Ende pa transport publik

Ulqin Info
By -
0


 


Më 8 gusht të vitit të kaluar, mediat raportuan se Komuna e Ulqinit kishte siguruar autobusët e parë për transportin publik. Në fakt, bëhet fjalë për minibusë me kapacitet prej 22 ulësesh, të markës Iveco Daily, të prodhuar në vitin 2025.


Që nga ajo ditë, përveç një udhëtimi promovues të organizuar nga përfaqësuesit e pushtetit lokal, automjetet qëndrojnë të parkuara nën diell, në parkingun pas ndërtesës së Komunës së Ulqinit.


Në atë kohë ishte deklaruar se këto automjete do të përdoreshin edhe për transportin e organizuar të nxënësve të shkollave në territorin e komunës.


Sipas deklaratave zyrtare, blerja e mjeteve të transportit paraqet një hap të rëndësishëm për Ulqinin, me synim përmirësimin e transportit në qytet, lehtësimin e lëvizjes dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe nxënësit.


Leart Taipi, sekretar i Sekretariatit për Veprimtari Komunale dhe Banesore të Komunës së Ulqinit, ka deklaruar për Radio Ulqinin se sekretariati që ai drejton ka përfunduar të gjitha procedurat që janë në kompetencën e tij lidhur me këtë çështje, ndërsa hapat e mëtejshëm duhet të ndërmerren nga Kabineti i Kryetarit të Komunës së Ulqinit.


Me këtë qëllim, në disa raste i jemi drejtuar Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ulqinit, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.


E vetmja deklaratë që kemi në dispozicion është ajo e nënkryetarit të Komunës së Ulqinit, i cili, ndër të tjera, ka thënë:


“Transporti publik është një nga shtyllat kryesore të një qyteti modern dhe Komuna e Ulqinit ka punuar seriozisht për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm.


Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve institucionale dhe teknike, ndërsa fillimi i ofrimit të shërbimit varet nga miratimi i vendimeve në seancën e Kuvendit Komunal.


Është planifikuar që ky shërbim të fillojë gjatë sezonit turistik, me fokus në linjat që lidhin qendrën, zonat hoteliere dhe plazhet, me qëllim lehtësimin e lëvizjes dhe reduktimin e trafikut.


Deri tani kemi blerë pesë minibusë me nga 22+1 vende dhe presim ardhjen e edhe dy autobusëve më të mëdhenj.


Pas përfundimit të sezonit veror, fokusi ynë do të zhvendoset drejt organizimit të linjave të rregullta për transportin e nxënësve të të gjitha shkollave, përfshirë edhe zonën e Anës së Malit.”


Këtë deklaratë nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sela, e ka dhënë për Radio Ulqinin gjatë një interviste të realizuar të martën, më 3 mars të këtij viti.


Një minibus i ri Iveco Daily, i prodhuar në vitin 2025, kushton nga 110.000 deri në 145.000 euro.


Kjo do të thotë se pesë minibusët mund t’i kenë kushtuar Komunës së Ulqinit rreth 725.000 euro, pa përfshirë taksat dhe shpenzimet e tjera shtesë.


Sipas informacioneve jozyrtare që disponojmë, pritet krijimi i një ndërmarrjeje publike e cila do të menaxhojë transportin publik, pas së cilës do të vazhdohet me hapat e tjerë të nevojshëm.


Mbetet të shihet se kur do të hyjnë në funksion këto minibusë dhe nëse transporti publik do të nisë sipas planeve të deklaruara nga pushteti lokal.


Deri atëherë, qytetarët dhe vizitorët e Ulqinit do të vazhdojnë të përballen me mungesën e një sistemi të rregullt të transportit publik.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)