Administrata Doganore ka ndaluar në Portin e Tivarit një ngarkesë tranziti me mish viçi të ngrirë, e destinuar për kompaninë kosovare “Apetit” SHPK, pasi gjatë kontrollit është konstatuar se produkti kishte kaluar afatin e përdorimit.
Kontrolli i kontejnerit është kryer më 24 shtator 2026, ndërsa në të janë gjetur gjithsej 1.321 paketime me mish, me peshë bruto prej 24.650 kilogramësh.
Sipas Administratës Doganore, gjatë kontrollit është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj 2026.
Për rastin janë njoftuar menjëherë inspektori veterinar dhe Drejtoria e Policisë, të cilat janë përfshirë në procedurat e mëtejshme brenda kompetencave të tyre.
Edhe tre kontejnerë të tjerë ishin ndaluar më herët
Administrata Doganore kujtoi se në një rast të mëparshëm kishte ndërprerë procedurën e tranzitit për tre kontejnerë me mish viçi, me peshë të përgjithshme bruto prej 77.841,03 kilogramësh.
Në atë rast ishte konstatuar se deklaratat origjinale, në të cilat figuronin afatet e skaduara të përdorimit, ishin hequr dhe më pas ishin zëvendësuar me deklarata ku ishte shënuar një afat tjetër përdorimi.
Mishi nga këta tre kontejnerë do të asgjësohet pasi të përfundojnë procedurat e tjera ligjore.
Përmes komunikimit me administratat doganore të vendeve fqinje është konstatuar gjithashtu se parregullsi në lidhje me këtë kompani janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit. Informacionet përkatëse janë shkëmbyer me administratat doganore kompetente.
Për rastet është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, në mënyrë që edhe administratat e tjera doganore të jenë të informuara për mënyrën e tentativës për shpërndarjen e mishit me afat të skaduar.
Në dy rastet e përmendura, Administrata Doganore ka ndaluar gjithsej 102.491,03 kilogramë mish viçi, ose pothuajse 103 tonë.

Post a Comment
0Comments