Rreth 13 për qind e nxënësve në Mal të Zi nuk janë vaksinuar kundër fruthit

Ulqin Info
By -
0


 

Rreth 10 mijë fëmijë në shkollat fillore të Malit të Zi nuk janë vaksinuar kundër fruthit, që përbën afërsisht 13 për qind të popullsisë shkollore.


Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, mbulimi me vaksinim ndryshon ndjeshëm nga një komunë në tjetrën. Në Mojkovc dhe Plevla, përqindja e fëmijëve të vaksinuar është mbi 96 për qind, ndërsa në Tivar dhe Budva është rreth 70 për qind.


Edhe pse rreziku i përhapjes së fruthit në shkolla është më i ulët se në kopshte, fëmijët e pavaksinuar mbeten të ekspozuar, veçanërisht pas kontaktit me persona të infektuar.


Në rast të shfaqjes së një epidemie në ndonjë klasë, shkollat do të veprojnë sipas udhëzimeve të institucioneve shëndetësore.


“Për momentin nuk kemi marrë asnjë udhëzim dhe nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë. Shpresojmë sinqerisht që të mos ketë as në të ardhmen. Por, si edhe gjatë periudhës së koronavirusit, kemi marrë udhëzime nga Ministria e Arsimit dhe Instituti i Shëndetit Publik dhe çdo udhëzim të tyre jemi të gatshëm ta zbatojmë”, tha zëvendësdrejtoresha e Shkollës Fillore “Štampar Makarije”, Olivera Bulatoviq.


Udhëzimet janë të qarta. Fëmijët e pavaksinuar që kanë qenë në kontakt me një person të infektuar duhet të izolohen për periudhën e përcaktuar nga shërbimet shëndetësore.


“Fëmijët e pavaksinuar nuk do të thotë domosdoshmërisht se janë shumë në numër. Mund të jenë tre, katër apo pesë fëmijë. Nëse kanë qenë në kontakt me një person të sëmurë, ata mund të vaksinohen menjëherë pasi të mësohet se kanë pasur kontakt. Në këtë rast nuk është e domosdoshme të qëndrojnë në izolim. Por, nëse nuk vaksinohen, atëherë duhet të izolohen për një numër të caktuar ditësh”, shpjegoi epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, Marija Bozhoviq.


Edhe pse rreziku i një epidemie të fruthit është më i ulët në shkolla sesa në kopshte, komplikimet e sëmundjes mund të shfaqen te personat e çdo moshe.


“Ndër personat e prekur, më të rrezikuar janë ata që zhvillojnë forma më të rënda të sëmundjes, ku mund të shfaqen komplikime. Më të zakonshmet janë infeksioni i veshit të mesëm, diarreja dhe dehidratimi. Përveç tyre, mund të shfaqen edhe pneumoni dhe encefalit, pra inflamacion i mushkërive dhe inflamacion i trurit”, theksoi Bozhoviq.


Ekspertët u bëjnë thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët, duke theksuar se nuk është vonë për imunizim. Vaksinimi mund të plotësohet deri në moshën 18-vjeçare.


“Arsyeja është e thjeshtë: të mos lejojmë që të humbasim qoftë edhe një jetë fëmije nga sëmundje që mund të parandalohen me vaksinë”, tha epidemiologia.


Mbulimi me vaksinim te nxënësit e shkollave fillore është më i lartë në veri të vendit. Në Mojkovc, rreth 98 për qind e fëmijëve janë vaksinuar, ndërsa përqindja më e ulët regjistrohet në jug, ku në Tivar dhe Budva është rreth 70 për qind.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)