Në banesën e dy rusëve u gjetën rreth 1 milion euro, pajisje IT dhe poligraf

Ulqin Info
By -
0


 


Policia e Malit të Zi ka arrestuar dy shtetas rusë, A.K. (31) dhe A.K. (42), nën dyshimin se kanë kryer veprat penale të kontrabandës dhe pastrimit të parave.


Gjatë hetimeve, policia ka identifikuar një apartament në Budva që dy të dyshuarit e kishin përdorur më herët. Me urdhër të Gjykatës Themelore në Kotor, më 25 shtator është kryer kontrolli i banesës.


Gjatë bastisjes, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme pajisjesh të ndryshme informatike dhe mjete komunikimi, një poligraf, si dhe para në tetë valuta të ndryshme.


Përveç euros, në banesë janë gjetur edhe valuta zyrtare të Rusisë, Serbisë, Izraelit, Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Shteteve të Bashkuara dhe Kirgistanit. Vlera e përgjithshme e parave të gjetura, e konvertuar në euro, është rreth 1 milion euro.


Policia ka bërë të ditur gjithashtu se është gjetur edhe një shumë prej 1.120 eurosh, për të cilën ekziston dyshimi se është e falsifikuar. Të gjitha sendet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertizave të mëtejshme.


U kontrolluan edhe në aeroport


Hetimet kishin nisur edhe më herët. Më 23 shtator, zyrtarët e Stacionit të Policisë Kufitare II në Tivat, në bashkëpunim me Administratën Doganore, kontrolluan dy shtetasit rusë në pikën kufitare “Aeroporti i Tivatit”.


Ata kishin me vete gjithsej 19 valixhe në bagazh të veçuar. Gjatë kontrollit të detajuar u gjetën 26.210 euro dhe 1.150 shekelë izraelitë, si dhe një sasi e konsiderueshme pajisjesh elektronike dhe informatike të padeklaruara dhe ilaçesh.


Autoritetet i kanë sekuestruar përkohësisht paratë, pajisjet dhe sendet e tjera të gjetura. Gjithashtu janë marrë disa mjete komunikimi që dy personat dyshohet se i përdornin.


Për rastin është njoftuar prokurori shtetëror në Prokurorinë Themelore në Kotor. Sipas policisë, prokurori ka vlerësuar se në veprimet e dy shtetasve rusë ekzistojnë elemente të veprave penale kontrabandë dhe pastrim parash, ndaj ka urdhëruar ndalimin e tyre.


Të dyshuarit, së bashku me kallëzimin penal, janë dërguar brenda afatit ligjor para prokurorit kompetent.


Policia ka njoftuar se, në bashkëpunim me prokuroritë kompetente, Agjencinë për Siguri Kombëtare dhe institucione të tjera të sistemit të sigurisë, si dhe me partnerë nga komuniteti ndërkombëtar i inteligjencës, po vazhdon hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin dhe personat e dyshuar.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)