Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Qytetare URA, Ilir Harasani, ka deklaruar se rritja e pagave nuk garanton përmirësim të standardit të jetesës nëse çmimet rriten me ritëm më të shpejtë.
Sipas tij, pagat reale në gusht kanë rënë me 0.9 për qind, pasi çmimet janë rritur më shumë se pagat. Ndërkohë, paga neto në nivel mujor është rritur me 0.3 për qind, ndërsa çmimet e konsumit janë rritur me 1.2 për qind.
“Qytetarët kanë më shumë euro në letër, por me to mund të blejnë më pak”, ka thënë Harasani.
Ai ka theksuar se paga mesatare në gusht ishte 1.040 euro, por rënia e pagës reale tregon se të ardhurat më të larta nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht standard më të mirë jetese.
Harasani ka kërkuar që, krahas rritjes së të ardhurave, të ndërmerren masa për uljen e çmimeve të ushqimeve, barnave, karburanteve dhe banesave.
Sipas tij, gjatë vitit 2023, URA përmes aksionit “Stop inflaciji” ka treguar se çmimet mund të ulen kur ekziston vullnet politik dhe bashkëpunim mes Qeverisë dhe sektorit privat.
Ai ka bërë të ditur se në paketën ekonomike të propozuar nga URA, “Bolji standard”, parashihet ulja e normës së TVSH-së në 7 për qind, ndërsa për produktet bazë ushqimore, barnat, produktet bazë të higjienës, pajisjet për fëmijë dhe energjentët bazë gjatë muajve të dimrit propozohet normë prej 0 për qind.

Post a Comment
0Comments