Biznesmeni i njohur multimilioner Viknel Çivajo dhe bashkëshortja e tij, Lusi Muteke, kanë humbur jetën së bashku me katër persona të tjerë në një aksident me helikopter në Zimbabve.
Familjarët dhe zyrtarët kanë konfirmuar vdekjen e të gjashtë personave që ndodheshin në helikopter.
Shkaqet e rrëzimit ende nuk dihen. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e aksidentit, i cili ndodhi në një fermë.
Çivajo ishte një nga biznesmenët më të njohur në Zimbabve dhe ishte bërë i famshëm edhe për stilin e tij luksoz të jetesës. Në rrjetet sociale, ku ndiqej nga qindra mijëra persona, ai publikonte shpesh fotografi me automjete luksoze dhe avionë privatë.
Pasurinë e kishte krijuar kryesisht në sektorin e energjetikës dhe përmes projekteve të mëdha infrastrukturore.
Në publik ishte i njohur edhe për dhuratat e shtrenjta që u bënte personazheve të njohura, muzikantëve dhe liderëve fetarë, përfshirë edhe automjete luksoze.
Sipas mediave britanike, biznesmeni kishte pasur gjithashtu lidhje të afërta me figura të larta shtetërore dhe ishte përfshirë në disa polemika gjatë viteve.
“Me dhimbje dhe pikëllim të madh konfirmojmë se Viknel Çivajo dhe bashkëshortja e tij humbën jetën në këtë tragjedi”, deklaroi zëdhënësi i familjes, Herber Çivajo.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur shkakun e rrëzimit të helikopterit.

Post a Comment
0Comments