Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kanë nisur bisedimet me partitë politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke vlerësuar se fundjava e ardhshme mund të jetë vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje.
“Kanë nisur komunikimet dhe, natyrisht, kjo fundjavë është vendimtare që të arrijmë një marrëveshje dhe javën e ardhshme të kemi president”, ka deklaruar Kurti.
Afati kushtetues për përfundimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit skadon më 6 tetor. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, parashikohet shpërndarja e tij dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare.
PDK vendos kushte për mbështetjen
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes kryetarit Bedri Hamza, ka kërkuar që krahas çështjes së presidentit të shqyrtohen edhe ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas raportimeve, PDK kërkon që mandati i këtyre institucioneve të kufizohet në trajtimin e pretendimeve të përfshira në raportin e Dick Marty-t dhe që të vendoset mbikëqyrje ndërkombëtare mbi punën e tyre.
Ndërkohë, Kurti dhe Hamza kanë planifikuar takim për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe kërkesat lidhur me ligjin për Dhomat e Specializuara.
Bisedimet me LDK-në
Deri tani, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka qenë subjeku opozitar që ka zhvilluar bisedime me Vetëvendosjen për çështjen e presidentit.
Palët kishin arritur marrëveshje për kandidaturën e Bekim Sejdiut, por gjashtë deputetë të LDK-së votuan kundër, duke vënë në pikëpyetje sigurimin e kuorumit dhe mbështetjes së nevojshme në votimet e para.
Sejdiu më pas tërhoqi kandidaturën e tij.
Afati përfundimtar
Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, Kosova do të përballet me zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të zhvillohen jo më vonë se 15 nëntori.
Në këtë rast, bëhet fjalë për ciklin e katërt zgjedhor në Kosovë brenda më pak se dy vitesh.

Post a Comment
0Comments