Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte dje mysafir në Staten Island të Nju Jorkut, ku u mbajt një tubim i madh me pjesëtarë të diasporës shqiptare.
Gjatë fjalimit të tij, Rama falënderoi organizatat e shumta që mbështetën aktivitetin e mbajtur në hotelin Hilton, ndërsa një mesazh ia drejtoi edhe, siç tha ai, mikut të tij të madh, ish-kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Përmendja e tij u prit me duartrokitje të mëdha nga të pranishmit.
“Para se të vija këtu, fola në telefon me mikun tim të çmuar, ish-kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq – të vetmin ‘qytetar të vërtetë të botës’ në Ballkan. Ai më përcolli se sot këtu do të jenë edhe disa miq nga Ulqini. Faleminderit Dritan, faleminderit të gjithëve”, tha Rama.
Rama dhe Abazoviqi njihen për marrëdhëniet e tyre të afërta, ndërsa bashkëpunimi mes dy ish-kryeministrave u intensifikua pas nismës së Abazoviçit në vitin 2022, kur të dy vendet nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e një ure mbi lumin Buna.
Për këtë projekt qytetarët e të dyja vendeve presin prej dekadash. Synimi ishte lehtësimi i trafikut të rënduar gjatë sezonit veror, si dhe shkurtimi i rrugës mes Ulqinit dhe Velipojës, nga rreth 73 kilometra në vetëm disa kilometra, përmes ndërtimit të një ure rreth 200 metra të gjatë.
Me ardhjen e qeverisë së re në Mal të Zi, projekti, sipas raportimeve, ka mbetur praktikisht i bllokuar, ndërsa arsyet për këtë nuk janë bërë të ditura.

Post a Comment
0Comments