Qyteti më jugor i Malit të Zi po përgatitet për një tjetër ngjarje të veçantë. Bëhet fjalë për edicionin jubilar të Mundialit të Miqësisë, një manifestim që prej vitesh ka kaluar kufijtë e sportit dhe është shndërruar në një takim të madh të njerëzve, kujtimeve dhe vlerave që bashkojnë rajonin.
Kur në një vend mblidhen emra që kanë lënë gjurmë në sportin jugosllav dhe atë botëror, Ulqini për disa ditë bëhet shumë më tepër se një qytet mikpritës. Ai shndërrohet në një vend ku takohen miqësia, emocionet dhe kujtimet e përbashkëta.
Pas kësaj nisme qëndron Pavle Pepgjonoviq, i cili përmes energjisë dhe përkushtimit të tij ka arritur të afrojë njerëz nga fusha të ndryshme dhe të krijojë një ngjarje që tashmë ka marrë përmasa rajonale.
Pavle Pepgjonoviq: “Ky nuk është vetëm sport, por një festë e miqësisë”
“Mundiali i Miqësisë ka kohë që ka pushuar së qeni vetëm ëndrra ime apo një projekt lokal. Ai është bërë një shtëpi e përbashkët për të gjithë njerëzit e mirë nga Vardari deri te Triglavi. Kur shoh me sa gëzim dhe respekt vijnë këta emra të mëdhenj në Ulqin, e kuptoj se po bëjmë diçka të drejtë. Ulqini do t’i hapë sërish dyert dhe zemrën e tij. Synimi ynë është të përcjellim mesazhin e dashurisë, solidaritetit dhe respektit për njerëzit që na kanë bërë krenarë. Falënderoj çdo qytetar të Ulqinit, çdo sponsor dhe çdo mik që ndihmon që kjo histori të vazhdojë. Shihemi në Ulqin që së bashku të shkruajmë edhe një faqe historike”, ka thënë Pepgjonoviq.
Manifestimi është ndërtuar pikërisht mbi idenë e afrimit të njerëzve përmes sportit, kujtimeve dhe respektit të ndërsjellë. Për organizatorët, Ulqini është kthyer në një pikëtakim ku ish-sportistë, gazetarë, intelektualë dhe miq të vjetër të rajonit rikthehen për të ndarë kujtimet dhe përvojat e tyre.
Homazh për emrat e mëdhenj të sportit
Programi i sivjetshëm do të hapet zyrtarisht të premten, më 9 tetor 2026, në orën 19:00, në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës në Ulqin.
Një pjesë e veçantë e mbrëmjes do t’u kushtohet figurave të paharruara të sportit: Ivan Gudel, Bozho Koprivica, Goran Sukno, Dushko Vujoševiq dhe Dražen Dalipagiq.
Për secilin prej tyre do të shfaqet një film i shkurtër dokumentar, ndërsa rreth dhjetë folës do të ndajnë me të pranishmit kujtime dhe rrëfime për karrierën dhe jetën e tyre.
Mes emrave që do të marrin pjesë në këtë pjesë të programit janë Zhelko Jerkov, Peter Vilfan, Ivica Shurjak, profesori Vladimir Koprivica, Edo Pezzi, Sinan Gudzheviq, Milivoj Bebiq, Igor Milanoviq dhe Boris Dezhuloviq, si dhe të tjerë.
Në Ulqin pritet të jenë edhe familjarë të sportistëve që nuk janë më në mesin tonë. Deri tani kanë konfirmuar ardhjen bashkëshortet e Dushko Vujoševiqit dhe Dražen Dalipagiqit, ndërsa deri në fund të muajit pritet përgjigjja edhe nga vajza e Ivan Gudelit.
Mysafirë të shumtë nga bota e sportit dhe kulturës
Delegacioni sportiv dhe kulturor nga Sllovenia këtë vit do të jetë veçanërisht i pasur. Pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar Ivo Daneu, Tone Vogrinec, Bojan Krizhai, Primozh Ulaga, Peter Vilfan, Janez Drvariq dhe Zoran Predin.
Në edicionin e sivjetshëm do të marrin pjesë edhe një numër i madh emrash që vijnë për herë të parë ose në role të veçanta. Mes tyre janë Dino Raxha, Zdravko Reiq, Drago Çosiq, Zhelko Pavliçeviq, Dražen “Frfa” Muziniq, Boshko Gjurovski, Milivoj Bebiq, Oskar Vilja Ramon, Danira Nakiq, Zagorka Poçekoviq Çupahin, Svetlana Ceca Kitiq, Danko Cvijetiçanin, Mlladan Shilobad, Zoran Stevanoviq, Dragan Todoriq, Vlada Dragutinoviq, Nebojsha Zorkiq, Mishko Mariq, Radmilo Mishoviq, Slobodan Çobo Janyush, Ante Matuloviq, Ratko Svilar dhe Blazh Sllishkoviq.
Miqtë e vjetër rikthehen në Ulqin
Pjesë e pandashme e Mundialit janë edhe ata që kanë qenë të pranishëm në edicionet e mëparshme dhe që vazhdojnë të rikthehen në Ulqin.
Në listën e miqve të konfirmuar këtë vit janë Zoran Çutura, Stojko Vrankoviq, Mihovil Nakiq, Branko Macura, Mlladan Tudor, Ivica Tucak, Slavoljub Muslin, Stanislav Karasi, Milosh Bursaq, Nikica Cukrov, Jovica Nikoliq, Vanço Balevski, Dragi Kanatlarovski, Faruk Haxhibegiq, Husref Musemiq, Zijad Shvrakiq, Dževad Sheqerbegoviq, Fuad Mulahasanoviq, Mehmet Bogujevci, Shaban Trstena, Nedeljko Jovanoviq, Sejo Bukva, Dževad Alihodzhiq, Teoman Alibegoviq, Tadija Kaçar, Mirko Puzoviq, Dejan Saviceviq, Deni Lushiq, Veselin Gjuho, Rade Zalad, Dane Korica, Vlade Gjuroviq, Nikola Pleqash, Mirsad Fazlagiq, Mili Haxhiabdiq, Enver Haxhiabdiq, Miroslav Gjukiq, Veselin Vukoviq, Momir Rniq, Radojko Avramoviq, Nijaz Ferhatoviq, Miodrag Perunoviq, Nijaz Merdanoviq, Ljubo Radanoviq, Ante Miroçeviq, Mojash Radoniq, Zoran Batroviq, Ferid Zekoli, Dragi Setinov, Mehmed Bazhdareviq dhe shumë të tjerë.
Edicioni jubilar pritet që edhe këtë vit ta kthejë Ulqinin në një vend takimi për ish-yjet e sportit dhe miqtë e tyre nga rajoni, duke e vendosur edhe një herë theksin te miqësia, respekti dhe kujtesa e përbashkët përmes sportit.

Post a Comment
0Comments