Ulqin: Pesë automjete u nxorën nga qarkullimi, u ndëshkuan të mitur dhe shoferë të rinj

Ulqin Info
By -
0

 



Policia e Ulqinit ka zhvilluar gjatë fundjavës kontrolle të shtuara në komunikacion, me fokus të veçantë te shoferët e rinj, personat me interes operacional dhe personat e lidhur me ta, si dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.


Gjatë aksionit janë ndëshkuar të mitur, shoferë të rinj, prindër të të miturve dhe shtetas të huaj për shkelje të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.


Nga qarkullimi janë larguar dhe janë sekuestruar përkohësisht pesë automjete, prej tyre dy vetura dhe tre motoçikleta, njoftoi Drejtoria e Policisë.


U kap me motoçikletë duke vozitur 115 km/h


Në rrugën rajonale Ulqin–Ada e Bunës, në zonën e Donji Shtojit, policia ka ndaluar dhe arrestuar D.M. (24) nga Ulqini, i cili po drejtonte një motoçikletë me shpejtësi 115 km/h.


Shpejtësia maksimale e lejuar në atë pjesë të rrugës, e cila kalon nëpër zonë të banuar, është 60 km/h.


Në të njëjtin aks rrugor është arrestuar edhe N.K. (40) nga Nikshiqi, pasi ka refuzuar t’i nënshtrohet testimit për praninë e substancave psikoaktive në organizëm.


Policia ka bërë të ditur se ai është ndëshkuar edhe për drejtimin e automjetit pa patentë shoferi të vlefshme.


Dhjetë shoferë të rinj përfunduan me kallëzime


Kontrollet u përqendruan edhe te shoferët e rinj, me qëllim verifikimin e respektimit të kufizimeve ligjore që vlejnë për këtë kategori.


Kundër 10 shoferëve të rinj janë paraqitur kallëzime për kundërvajtje, pasi kanë drejtuar automjete pas mesnatës ose automjete me fuqi motori mbi 80 kW.


Një tjetër shofer i ri është ndëshkuar për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, ndërsa një tjetër për tejkalim të shpejtësisë së lejuar brenda zonës së banuar.


Shtetasi shqiptar pa qëndrim të regjistruar


Gjatë kontrolleve është ndëshkuar edhe shtetasi i Shqipërisë M.D. (42).


Sipas policisë, është konstatuar se ai nuk e kishte të regjistruar qëndrimin në Mal të Zi, ndërsa leja e tij për qëndrim të përkohshëm kishte skaduar më 17 nëntor 2025.


Rasti i është dorëzuar inspektorëve për të huaj, të cilët do të ndërmarrin masat dhe veprimet e mëtejshme.


17-vjeçari drejtonte kamion të paregjistruar


Në rrugën rajonale Ulqin–Ada e Bunës, në Bulevardin Teuta, policia ka kontrolluar një kamion të markës Mercedes, pa targa, me rimorkio, të cilin e drejtonte një 17-vjeçar nga Tivari.


Kontrolli ka zbuluar se kamioni nuk ishte i regjistruar, ndërsa rimorkio kishte dokumentacionin e qarkullimit të skaduar.


I mituri është ndëshkuar për shkeljet e konstatuara, ndërsa ndaj personit juridik dhe personit përgjegjës nga Tivari është paraqitur kallëzim.


Automjeti është nxjerrë menjëherë nga qarkullimi.


Tre motoçikleta u sekuestruan nga të miturit




Policia e trafikut ka nxjerrë nga qarkullimi edhe tre motoçikleta të markave Yamaha, SYM dhe Kymco, të cilat drejtoheshin nga të mitur 14, 16 dhe 17 vjeç nga Ulqini.


Ndaj të miturve janë paraqitur kallëzime për kundërvajtje për drejtimin e motoçikletave pa dhënë provimin për patentë shoferi.


Kallëzime janë paraqitur edhe ndaj prindërve të tyre, për shkak se u kanë dhënë automjetet persona që nuk posedonin patentë shoferi.


Kontrollet ndaj personave me interes operacional


Gjatë aksionit janë kontrolluar edhe nëntë persona me interes operacional, gjashtë prej të cilëve janë ndëshkuar për shkelje të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.



Nga personi me interes operacional I.K. nga Ulqini është sekuestruar përkohësisht një veturë Renault, për verifikime të mëtejshme.


Ndërkohë, personi S.B. nga Tivari është ndëshkuar për mosvendosjen e rripit të sigurimit.



Gjatë kontrollit të tij dhe kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një detektor radari, i cili shërben për zbulimin dhe pengimin e pajisjeve që matin shpejtësinë e automjeteve.


Pajisja është sekuestruar dhe ndaj S.B. është paraqitur kallëzim për kundërvajtje. Nga i njëjti person është sekuestruar përkohësisht edhe një automjet i markës Mercedes, për kontrolle të mëtejshme.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)