Të hyrat e Malit të Zi nga akcizat për vajrat minerale dhe derivatet e tyre kanë shënuar rënie të ndjeshme gjatë muajve të verës. Të dhënat e Drejtorisë së Doganave tregojnë se në qershor, korrik dhe gusht të këtij viti janë mbledhur rreth 6 milionë euro më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënia më e madhe është regjistruar në qershor, kur të hyrat nga kjo bazë ishin pothuajse 5 milionë euro më të ulëta krahasuar me qershorin e vitit 2025.
Qershori me rënien më të madhe
Në qershor 2026, nga akciza për vajrat minerale dhe derivatet e tyre janë mbledhur 15.968.849 euro.
Në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kjo paraqet një rënie prej 4.940.414 eurosh, ose 23,63 për qind.
Nga Drejtoria e Doganave kanë bërë të ditur se rënia e të hyrave në këtë muaj ishte dukshëm më e lartë se në dy muajt pasues.
Në korrik dhe gusht rënia ishte më e vogël
Gjatë korrikut, të hyrat nga akciza për karburant arritën në 21.109.609 euro, që është 526.423 euro, ose 2,43 për qind, më pak se në korrik të vitit 2025.
Në gusht janë mbledhur 22.112.566 euro, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo paraqet një ulje prej 572.665 eurosh, ose 2,52 për qind.
“Për bazë të akcizës për vajrat minerale dhe derivatet e tyre, në muajin gusht 2026 janë mbledhur 22.112.566 euro, që është më pak për 572.665 euro, ose 2,52 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, kanë deklaruar nga Drejtoria e Doganave.
Në tre muaj u mblodhën 59.19 milionë euro
Në total, gjatë qershorit, korrikut dhe gushtit 2026, të hyrat nga akcizat për vajrat minerale dhe derivatet e tyre arritën në 59.191.024 euro.
Në të njëjtët tre muaj të vitit 2025, të hyrat nga kjo bazë ishin rreth 65,28 milionë euro.
Akcizat për karburant zakonisht sjellin të hyra më të larta gjatë muajve të verës, duke pasur parasysh rritjen e konsumit të karburanteve gjatë sezonit turistik.
Sistemi i akcizave në Mal të Zi rregullohet me Ligjin për akcizat, i cili përcakton detyrimin për pagesën e akcizës për produktet akcizore që vendosen në qarkullim të lirë në territorin e vendit.

Post a Comment
0Comments