Shpenzoi 700 mijë euro për një grua që besonte se e kishte të dashur prej 13 vitesh

Ulqin Info
By -
0



 Ish-volejbollisti i kombëtares italiane, Roberto Kazaniga, për 13 vjet besoi se ishte në një lidhje dashurie me modelen braziliane Alesandra Ambrozio, edhe pse të dy nuk ishin takuar kurrë personalisht.


Gjatë këtyre viteve, Kazaniga shpenzoi rreth 700 mijë euro, duke menduar se po ndihmonte dhe mbështeste gruan me të cilën besonte se ishte në një marrëdhënie.


Historia nisi pasi një mik i dha numrin e telefonit të një gruaje, e cila pretendohej se dëshironte ta njihte. Fillimisht ajo përdori emrin Alesandra, por më vonë i tregoi se ky ishte vetëm një pseudonim dhe se identiteti i saj i vërtetë ishte Maya.


Nuk u takuan asnjëherë


Sipas Kazanigës, kontakti mes tyre u zhvillua vetëm përmes telefonit dhe pothuajse çdo ditë.


“Jo, nuk jemi parë kurrë. Gjithmonë kishte një mijë justifikime, si sëmundja apo puna. Por unë u dashurova me atë zë dhe kështu vazhduam telefonatë pas telefonate”, kishte deklaruar ai për gazetën italiane “Corriere della Sera”.


Për vite me radhë, ish-volejbollisti ishte i bindur se po komunikonte me modelen braziliane Alesandra Ambrozio, e cila në atë periudhë ishte në një lidhje me Riçard Lien.


Ndërkohë, personi pas këtij identiteti të rremë ishte një grua rreth 50 vjeçe, e njohur si Maya.


Huazoi para nga familjarët dhe miqtë


Për shkak të kësaj marrëdhënieje virtuale, Kazaniga kishte dhënë shuma të mëdha parash. Sipas rrëfimit të tij, ai kishte marrë hua nga të afërm, familjarë dhe miq për të siguruar paratë.


Më vonë u zbulua se pas mashtrimit dyshohet se qëndronin tre persona.


Sipas raportimeve të mediave italiane, bashkëlojtarët e tij kishin filluar të dyshonin për historinë dhe ishin ata që e kishin sinjalizuar rastin te policia. Autoritetet më pas nisën hetimet për të zbardhur mashtrimin.


Rasti u bë i njohur gjerësisht në Itali për shkak të kohëzgjatjes së marrëdhënies virtuale dhe shumës së madhe të parave që ish-sportisti kishte shpenzuar pa e takuar asnjëherë personin me të cilin besonte se ishte në lidhje.

Tags:

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)