Qeveria e Malit të Zi ka miratuar informacionin për ristrukturimin e detyrimeve kreditore të Komunës së Ulqinit, të lidhura me projektin për furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza në rajonin bregdetar – Faza V.
Bëhet fjalë për kredi në vlerë prej 20 milionë eurosh, pjesë e një huaje prej gjithsej 36 milionë eurosh nga banka gjermane KfW për projektin e ujësjellësit dhe kanalizimeve në rajonin bregdetar.
Sipas planit fillestar të shlyerjes, Komuna e Ulqinit duhej të niste pagesat e kredisë në qershor të vitit 2021. Megjithatë, për shkak të vështirësive financiare dhe realizimit më të ngadaltë të projektit nga sa ishte parashikuar, Komuna nuk ka qenë në gjendje t’i përmbushë detyrimet sipas planit.
Ristrukturohen 10.45 milionë euro
Ministria e Financave dhe Komuna e Ulqinit janë dakorduar për ristrukturimin e detyrimeve në vlerë totale prej 10.45 milionë eurosh.
Në këtë shumë përfshihen 2.69 milionë euro detyrime ende të paafatuara për pagesë, si dhe 7.76 milionë euro pjesë e kredisë që nuk është tërhequr.
Ristrukturimi do të realizohet përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje për ndryshimin dhe plotësimin e kontratës ekzistuese për përcjelljen e mjeteve kreditore dhe grantit për Komunën e Ulqinit.
Sipas Qeverisë, ndryshimet do të lidhen vetëm me dinamikën e shlyerjes së detyrimeve kreditore, ndërsa pjesët e tjera të marrëveshjes do të mbeten të pandryshuara.
Qeveria ka deklaruar se qëllimi i modelit të propozuar është të mundësojë një shlyerje më të qëndrueshme të detyrimeve, vazhdimin e konsolidimit fiskal të Komunës së Ulqinit dhe funksionimin normal të administratës lokale, pa ndryshuar marrëdhëniet themelore kontraktuale me kreditorin.

Post a Comment
0Comments