Përplasje dramatike në një dyqan: Hajduti u përball me punonjësin me shkop hokeji

Ulqin Info
By -
0


 

Një përleshje dramatike ka ndodhur në një dyqan në Nottinghamshire të Anglisë, ku një grabitës i maskuar dhe i armatosur me hanxhar tentoi të grabiste paratë e arkës, por u përball me një nga punonjësit.


Ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë në dyqanin Crest Mini Market, ndërsa pamjet janë publikuar pas incidentit.


Në video shihet grabitësi duke iu afruar arkës dhe duke tundur hanxharin, ndërsa në një moment punonjësi merr një shkop hokeji dhe i drejtohet atij.


Menjëherë më pas nis përleshja mes tyre mbi banakun e dyqanit. Grabitësi përpiqet të kalojë në anën tjetër, ndërsa punonjësi e godet me shkop dhe tenton ta pengojë që të arrijë te paratë.


Situata u bë edhe më e pazakontë kur në dyqan u aktivizua sistemi për krijimin e tymit, duke e vështirësuar dukshmërinë dhe duke e kthyer skenën në një pamje thuajse filmike.


Megjithatë, grabitësi arriti të largohej nga dyqani. Sipas raportimeve, me vete mori një shishe vodka, ndërsa punonjësi nuk pësoi lëndime.


Policia vijon kërkimet për të dyshuarin, ndërsa hetuesit besojnë se në identifikimin e tij mund të ndihmojë një detaj i veçantë – një tatuazh në krahun e majtë.


Në kërkim është përfshirë edhe organizata Crimestoppers, e cila ka ofruar një shpërblim deri në 5 mijë paund për informacione që mund të çojnë në arrestimin e të dyshuarit.


Pamjet e incidentit kanë tërhequr vëmendjen e publikut, veçanërisht për shkak të përballjes së pazakontë mes grabitësit të armatosur me hanxhar dhe punonjësit që iu kundërvu me një shkop hokeji.


NDIQNI PAMJET



Tags:

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)