Zëvendëskryeministri për Politikën Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, mori pjesë në konferencën “Economic Conference Montenegro 2026”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Malit të Zi.
Gjeloshaj ishte pjesë e panelit “One Region. One Market. One Reform Agenda”, ku foli për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjes më të madhe mes vendeve të rajonit.
Ai theksoi se Procesi i Berlinit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një hapësire ekonomike më të ndërlidhur në Ballkanin Perëndimor, ndërsa sipas tij duhet të vazhdohet me iniciativa konkrete që forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe lidhin më tej ekonomitë e vendeve të rajonit.
“Ne kemi rezultate konkrete mbi të cilat duhet të vazhdojmë të ndërtojmë dhe të përmirësojmë më tej kushtet për biznesin, në mënyrë që kompanitë të mund t’i shfrytëzojnë edhe më lehtë mundësitë që ofron tregu rajonal”, deklaroi Gjeloshaj.
Ai shtoi se për Malin e Zi hapi i radhës është lidhja më e mirë e potencialeve në turizëm dhe shërbime me furnizuesit, fuqinë punëtore dhe investimet në të gjithë hapësirën e CEFTA-s.
“Ambicia jonë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2028 është një arsye shtesë për ta përshpejtuar këtë proces dhe për t’i përgatitur kompanitë për mundësitë, por edhe përshtatjet që do të sjellë anëtarësimi”, tha Gjeloshaj.
Bashkëpunim për parqet industriale
Në përfundim të konferencës, Gjeloshaj iu drejtua pjesëmarrësve në ceremoninë “WB6 Industrial Parks Partnership Signing Ceremony”, gjatë së cilës përfaqësues të shtatë parqeve industriale dhe zonave të biznesit nga rajoni nënshkruan memorandume bashkëpunimi me partnerë nga Bashkimi Evropian.
Me këtë rast, ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret rajonal, veçanërisht në zhvillimin e parqeve industriale dhe zonave të biznesit, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset.
“Ceremonia e sotme është një shembull i mirë i bashkëpunimit konkret që zhvillohet pikërisht aty ku investohet, zhvillohet biznes dhe krijohen vende të reja pune. Parqet industriale dhe zonat e biznesit kanë potenciale të ndryshme dhe ndodhen në nivele të ndryshme zhvillimi. Ajo që i bashkon është mundësia për të krijuar kushte më të mira për zhvillimin e industrisë dhe investime të reja, duke sjellë kështu edhe mundësi më të mira për njerëzit që punojnë në to”, u shpreh Gjeloshaj.

Post a Comment
0Comments