Mijëra banorë të Bangkokut e nisën të dielën në strehimore të përkohshme, pasi reshjet e dendura që zgjatën për disa ditë shkaktuan përmbytje të mëdha në kryeqytetin e Tajlandës, duke përmbytur shtëpi dhe rrugë.
Sipas të dhënave të Administratës së Bangkokut (BMA), rreth 4.900 persona janë evakuuar në strehimore, ndërsa përmbytjet kanë prekur rreth 52.000 familje. Për shkak të situatës, në të gjithë kryeqytetin është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Shërbimi meteorologjik njoftoi se në disa pjesë të qytetit, nga e enjtja deri të dielën, kanë rënë më shumë se 330 milimetra shi.
Tajlanda është mësuar me reshje të shumta gjatë kësaj periudhe, pasi shtatori konsiderohet kulmi i sezonit të shirave. Megjithatë, disa banorë të Bangkokut thanë se përmbytjet e këtij viti janë më të rënda se ato të viteve të mëparshme.
“Shtëpia jonë ishte nën ujë për rreth 30 orë”, tha të dielën në mëngjes Kosin Nilset, një zyrtar që jeton pranë kanalit Prempračakorn, në periferi të kryeqytetit.
“Këtë herë niveli i ujit është më i lartë se gjatë përmbytjeve të vitit 2011”, tha 44-vjeçari.
Përmbytjet e mëdha të vitit 2011, që prekën një pjesë të madhe të Azisë Juglindore, shkaktuan më shumë se 500 viktima, ndërsa dëmtuan miliona shtëpi.
Kosin dhe familja e tij i ngritën sendet në katin e sipërm pasi panë se uji kishte kaluar murin mbrojtës të kanalit. Megjithatë, kati përdhes i shtëpisë së tyre u përmbyt plotësisht.
“Të paktën uji i rubinetit dhe energjia elektrike funksionojnë”, tha Kosin, ndërsa nxirrte ujin nga shtëpia me fshesë.
Gazetarët e AFP-së panë këmbësorë me mushama plastike duke kaluar nëpër ujërat e turbullta të përmbytjeve në pjesën lindore të Bangkokut. Në disa zona uji arrinte deri në gjunjë, përfshirë edhe një parking supermarketi, ndërsa banorët transportonin sendet e tyre në enë plastike që lundronin pranë tyre.
Niveli i ujit në rrjetin e kanaleve të Bangkokut mbetej i lartë të dielën në mëngjes, ndërsa autoritetet po punonin për përshpejtimin e largimit të ujërave.
Sipas Administratës së Bangkokut, reshje të reja priteshin gjatë së dielës në kryeqytet dhe në provincat përreth, ndërsa moti pritet të fillojë të përmirësohet nga e hëna.
Guvernatori i Bangkokut, Chadchart Sittipunt, tha se disa rrugë vazhdonin të ishin të përmbytura dhe u bëri thirrje banorëve të shmangnin udhëtimet e panevojshme.
Të shtunën në mbrëmje, Chadchart vizitoi një strehimore të përkohshme në një shkollë në zonën Keha Romklao, ku, sipas tij, ishin evakuuar rreth 1.000 persona.
Disa prej tyre pushonin në krevate portativë dhe në banka, së bashku me qentë e tyre, në korridoret e shkollës, ndërsa të tjerë flinin nën batanije në dyshemetë e klasave, pasi tavolinat dhe karriget ishin larguar.
Sipas autoriteteve të Bangkokut, qindra shkolla në qytet do të mbyllen të hënën.
Në disa dyqane gjatë fundjavës filluan të mungonin produktet bazë, ndërsa banorët përpiqeshin të siguronin furnizimet me kohë.
Kabineti i kryeministrit u bëri thirrje qytetarëve të mos blejnë rezerva nga frika dhe paralajmëroi se rritja e pajustifikuar e çmimeve përbën vepër penale.
Tidarata Silsuvan, 56 vjeçe, jeton e vetme në një shtëpi pjesërisht të përmbytur pranë kanalit Prempračakorn.
“Prej dy ditësh fle mbi tavolinë”.
Ajo nuk pranoi të largohej në strehimore, pasi po përpiqej të pastronte shtëpinë dhe të shpëtonte sendet që kishin mbetur.
“U përpoqa t’i ngrija të gjitha më lart, por hoqa dorë nga pajisjet e mëdha elektrike, si frigoriferi dhe lavatriçja. Besoj se janë prishur”.

Post a Comment
0Comments