Ka përfunduar xhiroja e parë e kampionatit të Ligës së Parë të Malit të Zi (CFL), ndërsa pas nëntë javësh në krye të tabelës është ngjitur Otrant-Olimpik.
Skuadra nga Ulqini ishte fituesja më e madhe e kësaj jave. Otrant-Olimpik mposhti Jezeron me rezultat 4:1 dhe, falë barazimit 1:1 mes Deçiqit dhe Mornarit, mori kreun me 16 pikë.
Valentin Rudoviq ishte protagonisti kryesor i fitores së ulqinakëve, duke shënuar dy gola. Në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Krstoviq dhe Vukoviq.
Ekipi i drejtuar nga Milija Savoviq ka një pikë më shumë se Deçiqi dhe Bokeli, ndërsa Buduqnosti dhe Sutjeska kanë nga dy pikë më pak. Mornari, që renditet në vendin e gjashtë, ka tri pikë më pak se lideri.
Mornari ishte pranë një fitoreje të rëndësishme ndaj Deçiqit në stadiumin “Besa”. Skuadra e Tivarit kaloi në epërsi me golin e Susit dhe e mbajti avantazhin për pjesën më të madhe të ndeshjes.
Megjithatë, Deçiqi arriti të shmangte humbjen në fund, falë golit të Mugošës.
Fitore të thellë regjistroi edhe Bokeli, i cili në pjesën e parë e vendosi ndeshjen ndaj Mladost DG në favorin e tij. Skuadra nga Kotorri triumfoi 3:0.
Taloviq shënoi dy herë për Bokelin, ndërsa një gol e realizoi edhe Peroviq.

Post a Comment
0Comments