Presli Gerber, djali i supermodeles së njohur Sindi Kraford, ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar për CNN përfaqësuesi i familjes.
Zyra e mjekut ligjor të qarkut Los Anxhelos bëri të ditur se Gerber vdiq të dielën, ndërsa ndodhej në një institucion rehabilitimi. Deri tani nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes.
Përfaqësuesi i Sindi Kraford konfirmoi lajmin, ndërsa familja kërkoi respektimin e privatësisë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Familja kërkon privatësi gjatë këtij momenti jashtëzakonisht të vështirë dhe të dhimbshëm”, tha përfaqësuesi i saj.
Presli Gerber kishte lindur në Kaliforni në vitin 1999 dhe ishte njëri nga dy fëmijët e Sindi Kraford dhe biznesmenit Rande Gerber.
Ashtu si motra e tij, modelja Kaia Gerber, edhe Presli hyri në botën e modës në moshë shumë të re. Ai debutoi në pasarelë kur ishte vetëm 16 vjeç, në një shfaqje të markës italiane Moschino.
Gjatë karrierës së tij bashkëpunoi me shtëpi të njohura mode, përfshirë Burberry, Dolce & Gabbana dhe Bottega Veneta, ndërsa punoi edhe me markat amerikane Tommy Hilfiger dhe Ralph Lauren.
Gerber u shfaq gjithashtu në fushata për Calvin Klein, Celine, Pepsi dhe Omega, si dhe në revista të njohura ndërkombëtare, përfshirë GQ Style dhe The New York Times Style Magazine.
Sipas biografisë së publikuar nga agjencia DNA Model Management, e cila e përfaqësonte që nga viti 2019, Presli ishte i angazhuar edhe në investime dhe sipërmarrje.
Kishte folur hapur për shëndetin mendor dhe varësinë
Në vitet e fundit, Gerber kishte ndarë publikisht përvojat e tij lidhur me shëndetin mendor dhe problemet me përdorimin e substancave.
Gjatë një interviste në podcastin “Studio 22” në vitin 2023, ai foli për dëshirën që të përdorte ndikimin e tij për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin mendor, duke e përshkruar atë si një pjesë shumë të rëndësishme të jetës së tij.
Ai kishte krijuar edhe iniciativën “Mental Health Mondays”, ndërsa, sipas DNA Model Management, kishte bashkëpunuar me organizata joqeveritare, përfshirë organizatën humanitare nga Los Anxhelosi “A Sense of Home”, e cila ndihmon personat pa strehim.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gerber publikoi në Instagram një video ku foli për përdorimin e barnave me recetë, përfshirë antidepresivë dhe Xanax, të cilat, sipas tij, i përdorte për shkak të sulmeve të panikut. Videoja më vonë u fshi.
Në atë kohë ai kishte thënë se kishte përjetuar humbje të shumta dhe se kjo kishte ndikuar në gjendjen në të cilën ndodhej.
Pas publikimit reagoi edhe nëna e tij, Sindi Kraford.
“Presli – të duam dhe nuk je vetëm”, kishte shkruar ajo.
Së fundmi, supermodelja 60-vjeçare kishte shënuar në Facebook ditëlindjen e 27-të të djalit të saj.
“Jam shumë krenare për burrin që je bërë, por gjithmonë do të të shoh si djalin tim të vogël”, kishte shkruar Kraford.
Kaia Gerber kishte folur së fundmi për vëllain
Edhe Kaia Gerber kishte folur së fundmi për vështirësitë me të cilat përballej vëllai i saj. Në një intervistë të gjatë për numrin e shtatorit të revistës American Vogue, ajo foli për problemet e tij me varësinë dhe ndikimin që kjo kishte pasur në familje.
“Kur diçka e tillë ndodh në familje, në njëfarë mënyre gjithçka barazohet. Mendoj se për këtë arsye fillova ta shihja veten si personin e lehtë dhe nuk doja kurrë të kërkoja ndihmë”, kishte deklaruar Kaia.
Ajo foli edhe për mënyrën se si Presli kishte zgjedhur të përballej publikisht me problemet e tij, duke e vlerësuar hapjen e tij.
Sipas saj, prindërit e tyre kishin qenë për pjesën më të madhe të jetës shumë të rezervuar dhe nuk kishin ndarë publikisht shumë gjëra, ndërsa Presli kishte zgjedhur të fliste hapur për përvojat e tij.

Post a Comment
0Comments