Modelja braziliane gjendet e copëtuar në bagazhin e ish partnerit, mesazhi i fundit alarmoi nënën

Ulqin Info
By -
0


 


Policia franceze po heton vdekjen e modeles braziliane Larisa Brito dos Santos, 25 vjeçe, trupi i copëtuar i së cilës u gjet në bagazhin e automjetit të ish-partnerit të saj. 29-vjeçari, i identifikuar si Matje, është arrestuar dhe akuzohet për vrasje, ndërsa ai mohon përfshirjen në krim.


Rasti mori një zhvillim të rëndë të hënën, gjatë një kontrolli rutinë të trafikut në autostradën A8, pranë Nicës. Punonjësit doganorë ndaluan automjetin që drejtohej nga i dyshuari dhe në bagazh gjetën disa qese plastike me pjesë të trupit të një personi.


Mesazhi i fundit: “Matje është këtu”


Një nga provat kryesore që po shqyrtojnë hetuesit është një mesazh në WhatsApp që Larisa ia kishte dërguar nënës së saj në Brazil të dielën, pak para se të humbiste çdo kontakt.


Mesazhi përmbante vetëm fjalinë: “Matje është këtu.”


Pas këtij komunikimi, familja nuk arriti më të kontaktonte me të.


Prokurori i Nicës, Damien Martinelli, konfirmoi se në trup janë konstatuar plagë të shkaktuara me një armë të ftohtë, ndërsa trupi ishte pothuajse tërësisht i copëtuar.


Dyshimet nisën pas denoncimit për zhdukjen


Hetimi policor kishte nisur që të dielën, pasi një burrë që u prezantua si mik i Larisës raportoi zhdukjen e saj.


Ai u tha hetuesve se kishte shkuar në apartamentin e modeles dhe kishte parë një burrë duke nxjerrë disa qese nga banesa dhe duke i vendosur në bagazhin e një automjeti.


Policia më pas konstatoi se apartamenti ishte pastruar në mënyrë të plotë, çka shtoi dyshimet e hetuesve.


Sipas deklarimeve të familjarëve për mediat braziliane, Larisa kishte qenë në lidhje me Matjen për disa muaj. Familja thotë se ajo i dha fund lidhjes pasi mësoi për lidhjet e tij të dyshuara me botën kriminale në zonën e Nicës.


Nëna e saj, Lilijan Brito Nogeira, ka deklaruar se vajza kishte tentuar në mënyra të ndryshme të shkëputej nga ish-partneri.


Nëna tentoi ta telefononte pas mesazhit


Lilijani ka treguar se menjëherë pasi mori mesazhin nga vajza, tentoi ta telefononte. Në telefon, sipas saj, u përgjigj një burrë, i cili tha se Larisa po flinte.


Kur nëna paralajmëroi se do të njoftonte policinë, ai e bllokoi numrin e saj.


> “Në atë moment ai tashmë e kishte vrarë vajzën time”, ka deklaruar nëna.


I dyshuari njihej më parë nga policia


29-vjeçari i arrestuar ishte i njohur më parë për autoritetet franceze. Sipas raportimeve, ai kishte precedentë për kundërvajtje në trafik dhe trafik droge, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu lidhjet e tij të mundshme me qarqet kriminale lokale.


Megjithatë, ai vazhdon të mohojë akuzat ndaj tij.


Larisa ishte zhvendosur në Francë në vitin 2023, ndërsa më herët kishte punuar në klube nate në Sao Paulo të Brazilit.


Autoritetet kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. I dyshuari ndodhet në paraburgim në Nicë, ndërsa hetimi vazhdon.


Ndërkohë, familja e Larisës në Brazil po mbledh fonde për të mundësuar kthimin e trupit të saj në atdhe.

Tags:

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)