Karatistët e Ulqinit kanë qenë më të suksesshmit në turneun tradicional ndërkombëtar “Kupa e Kampionëve”, i organizuar nga Klubi i Karatesë “Omladinac” nga Podgorica.
Ulqinakët e mbyllën garën në krye të renditjes së përgjithshme, me gjithsej 16 medalje të arta, 14 të argjendta dhe shtatë të bronzta.
Në vendin e dytë u rendit Akademia e Karatesë TN, e cila fitoi nga 10 medalje të arta dhe të argjendta, si dhe 16 të bronzta. E treta ishte Klubi i Karatesë “Mavši”, me nëntë të arta, tetë të argjendta dhe 11 të bronzta.
“Panter” e përfundoi turneun në vendin e katërt me tetë medalje të arta, nëntë të argjendta dhe nëntë të bronzta. Pas tij u rendit “Gorštak” me shtatë të arta, dy të argjendta dhe gjashtë të bronzta, ndërsa vendi i gjashtë i takoi ekipit “Bitević”, me gjashtë të arta, tri të argjendta dhe 18 medalje të bronzta.
Klubi organizator “Omladinac” pati një paraqitje të suksesshme, duke fituar 19 medalje të arta, nëntë të argjendta dhe shtatë të bronzta. Megjithatë, për shkak të statusit si organizator, klubi nuk u përfshi në pikëzimin për renditjen e përgjithshme.
Turneu u zhvillua në Qendrën Sportive-Kulturore Universitare në Podgoricë dhe mblodhi 511 garues nga 52 klube, të ardhur nga pesë shtete.

Post a Comment
0Comments