Për tri ditë në Mal të Zi arrestohen 74 shoferë, shumica për drejtim në gjendje të dehur

Ulqin Info
By -
0

 


Gjatë fundjavës së kaluar, nga 18 deri më 21 shtator, policia në Mal të Zi ka arrestuar 74 shoferë për shkelje të rënda të rregullave të trafikut, njoftoi Drejtoria e Policisë.


Nga numri i përgjithshëm, 47 persona janë arrestuar për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, me përqendrim mbi 1 g/kg, ose për refuzim të testit të alkoolit.


Pesë shoferë të tjerë janë arrestuar pasi dyshohet se drejtonin automjetet nën ndikimin e drogave ose substancave të tjera psikoaktive, ndërsa disa prej tyre kishin refuzuar t’i nënshtroheshin testimit.


Sipas policisë, 22 shoferë janë arrestuar për shkelje të tjera të rënda të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.


Nga 74 të arrestuarit, 35 janë ndaluar në Podgoricë, tetë në Budvë, ndërsa nga katër shoferë janë arrestuar në Tivar dhe Nikshiq.


Gjatë së njëjtës periudhë janë regjistruar 46 aksidente trafiku. Sipas të dhënave të policisë, në këto aksidente nuk ka pasur viktima.


Megjithatë, dy persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa 12 të tjerë janë lënduar lehtë.


Policia bëri të ditur se, gjatë kontrolleve të shtuara në të gjithë territorin e vendit, janë paraqitur 210 kallëzime për kundërvajtje dhe janë shqiptuar 1.547 urdhra për kundërvajtje.


Gjithashtu, përkohësisht janë konfiskuar 13 palë targa regjistrimi dhe një automjet.


Drejtoria e Policisë theksoi se kontrollet e shtuara të trafikut kanë qenë pjesë e masave për rritjen e sigurisë në rrugët e Malit të Zi.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)