Me rastin e 35-vjetorit të shpalljes së Malit të Zi si shteti i parë ekologjik në botë, presidenti Jakov Milatoviq ka prezantuar iniciativën “Shteti Ekologjik 2.0”, e cila përfshin 20 propozime konkrete për ta shndërruar konceptin e shtetit ekologjik në rregulla, projekte dhe rezultate të matshme.
Një nga pikat e kësaj nisme është edhe mbrojtja e plotë e zonës së Valdanosit në Ulqin.
Milatoviq theksoi se Valdanosi përfaqëson një hapësirë të veçantë ku ndërthuren deti, bregdeti, ullishtet dhe peizazhi kulturor i Ulqinit.
Sipas tij, mbrojtja e kësaj zone duhet të bazohet në një qasje të integruar, e cila do të përfshijë vlerat detare, bregdetare dhe tokësore. Në këtë proces, ai propozon përcaktimin profesional të kufijve dhe regjimeve të mbrojtjes.
“Është veçanërisht e rëndësishme të ruhen ullishtet tradicionale, habitatet detare, peizazhi dhe karakteri publik i kësaj hapësire”, tha Milatoviq.
Ai vlerësoi se Valdanosi mund të shërbejë si shembull për mënyrën se si trashëgimia natyrore dhe kulturore mund të mbrohen së bashku dhe të trajtohen si një vlerë e përbashkët për zhvillimin e qëndrueshëm.
Propozimi vjen në një kohë kur institucionet kanë ndërmarrë hapa të rinj lidhur me mbrojtjen e ullishtes së Ulqinit dhe gjirit të Valdanosit; në gusht 2026 u publikua edhe njoftimi zyrtar për elaboratin për këtë zonë.

Post a Comment
0Comments