Një futbollist 26-vjeçar nga Zagrebi është arrestuar në Kroaci pasi policia i gjeti në automjet 13 kilogramë e 848 gramë marihuanë.
Sipas Index, të dy prindërit e të riut punojnë në polici, ndërsa babai i tij është drejtues i Shërbimit për Parandalim në një prej drejtorive policore.
Policia nuk e ka bërë publik identitetin e 26-vjeçarit. Autoritetet kanë njoftuar më herët se ai dyshohet për prodhim dhe trafikim të paautorizuar të drogës.
Droga u gjet në dy çanta sportive
Policia kufitare në Vrgorac ndaloi të martën pasdite, më 22 shtator, automjetin e tij tip Mercedes në autostradën A1.
Gjatë kontrollit, policët vunë re në bagazh dy çanta sportive. Automjeti më pas u dërgua në ambientet e stacionit policor, ku, me urdhër të gjykatës, u krye kontrolli i detajuar.
Brenda çantave u gjetën 20 paketime me gjithsej 13 kilogramë e 848 gramë marihuanë.
Sipas policisë, droga dyshohet se ishte destinuar për shitje të mëtejshme të paligjshme.
Pas përfundimit të hetimeve, 26-vjeçari u dërgua te mbikëqyrësi i ndalimit, së bashku me kallëzimin penal për prodhim dhe trafikim të paautorizuar të drogës.

Post a Comment
0Comments