Çmimi i druve të prera dhe të çara për ngrohje në Podgoricë ka arritur këtë vit në 95 euro për metër kub për ahun, ndërsa drutë e bungut shiten deri në 100 euro për kubik.
Shitësit thonë se oferta është çdo vit e më e kufizuar, ndërsa çmimet kanë shënuar rritje të vazhdueshme. Megjithatë, sipas tyre, për momentin nuk pritet një shtrenjtim i ri, edhe pse me afrimin e dimrit çmimet mund të ndryshojnë.
Gjithnjë e më pak familje zgjedhin drutë
Në një prej pikave të shitjes së druve për ngrohje, në lagjen Zabjell të Podgoricës, dje kishte vetëm disa shitës. Në vend ndodhej një kamion dhe pesë deri në gjashtë rimorkio me dru ahu dhe bungu të çara.
Njëri prej shitësve, Rajko, tha për se një metër kub dru ahu të çara kushton 95 euro, ndërsa drutë e bungut 100 euro. Për drutë të matur në metra kub, çmimi është 75 euro për ahun dhe 80 euro për bungun.
Sipas tij, nuk ka shumë gjasa që çmimet e druve për ngrohje të ulen. Drutë që shet, siç shpjegon ai, janë siguruar në zonën përreth Podgoricës, kryesisht në Kuç dhe Piperë, dhe konsiderohen cilësore për shkak të vlerës së lartë kalorike.
“Edhe gjatë verës çmimi ishte i njëjtë. Nuk duhet ta rrisim çmimin me afrimin e dimrit”, tha Rajko.
Megjithatë, ai thekson se shitja e druve ka rënë ndjeshëm nga viti në vit.
Sipas tij, një pjesë e banorëve të Podgoricës po kalojnë te ngrohja me energji elektrike, pasi dimrat në kryeqytet nuk janë shumë të ashpër dhe kostoja e energjisë elektrike është më e përballueshme për shumë familje. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më pak persona merren me prerjen dhe shitjen e druve.
Ngrohja me dru kërkon më shumë punë
Rajko thotë se përdorimi i druve për ngrohje është bërë më i kushtueshëm dhe më i ndërlikuar edhe për shkak të punës së përditshme që kërkon.
Përveç ndezjes dhe mirëmbajtjes së zjarrit, ai përmend tymin dhe nevojën për lyerje më të shpeshtë të mureve.
“Në të kaluarën njerëzit nuk kishin shumë alternativa dhe ngrohja me dru ishte domosdoshmëri. Sot, për shumëkënd, ajo është kthyer në një luks, sepse kushton”, shprehet ai.
Megjithatë, sipas tij, ka ende persona që i blejnë drutë jo vetëm për nevojë, por edhe për kënaqësi.
Disa, siç tregon ai, e preferojnë ngrohjen me dru për atmosferën që krijon zjarri, ndërsa të tjerë vazhdojnë të përdorin sobat me dru për gatim, pasi besojnë se ushqimi i përgatitur në këtë mënyrë ka shije më të mirë.
Çmimet janë rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit
Çmimet e këtij viti janë dukshëm më të larta krahasuar me periudhat e mëparshme.
Vitin e kaluar, në pikën e shitjes në rrugën Tuska, një metër kub dru ahu të çara kushtonte 80 euro, ndërsa drutë e bungut 90 euro. Drutë e matura shiteshin për 65–70 euro për kubik ahu dhe 75 euro për kubik bungu.
Ndërkohë, në fillim të vjeshtës së para dy viteve, çmimi ishte 75 euro për kubik ahu të çara dhe 80 euro për kubik bungu.

Post a Comment
0Comments