Arrestohet 34-vjeçari, iu gjetën mbi 700 gramë marihuanë

Ulqin Info
By -
0

 



Policia në Podgoricë ka arrestuar M.R., 34 vjeç, i cili dyshohet se merrej me shitjen e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit dhe më pas bastisjes së banesës së tij, në lagjen Stari Aerodrom, janë sekuestruar më shumë se 700 gramë marihuanë.


Sipas Drejtorisë së Policisë, efektivët e Stacionit të Policisë Kriminalistike për luftën kundër drogës e kanë kontrolluar M.R. një ditë më parë, kur i kanë gjetur dhe sekuestruar një paketim me lëndë të dyshuar si marihuanë. Pas kësaj, ai është shoqëruar në ambientet e policisë.


Duke u bazuar në informacionet operative se 34-vjeçari për një periudhë më të gjatë dyshohej se siguronte dhe shpërndante marihuanë, madje se drogën e shiste nga banesa e tij në territorin e Podgoricës, policia ka siguruar urdhër për kontrollin e banesës dhe ambienteve të tjera që përdorte.


Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një qese e madhe plastike me rreth 700 gramë lëndë bimore të dyshuar si marihuanë, një kavanoz qelqi me marihuanë, një paketim më i vogël me të njëjtën lëndë, një cigare e mbështjellë me dorë dhe një peshore precize.


Pas mbledhjes së informacioneve dhe përfundimit të veprimeve hetimore, policia ka njoftuar prokurorin shtetëror në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë. Me urdhër të prokurorit, M.R. i është nënshtruar testimit për praninë e substancave psikoaktive në organizëm, ku rezultoi pozitiv për marihuanë.


M.R. më pas është arrestuar me urdhër të prokurorit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të paautorizuar të lëndëve narkotike.


Nga policia e Podgoricës kanë bërë të ditur se aktivitetet kundër këtij lloji të kriminalitetit po vazhdojnë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve, si dhe parandalimin e shpërndarjes së narkotikëve në territorin e kryeqytetit.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)