Ministria e Turizmit e Malit të Zi ka shpallur tender me vlerë 1.37 milionë euro për zhvillimin e Sistemit Informativ Turistik (TIS), një platformë e re që synon të centralizojë të dhënat për turistët, objektet e akomodimit, regjistrimet dhe çregjistrimet, si dhe pagesën e taksave turistike.
Sistemi pritet të ndihmojë institucionet në kontrollin e akomodimit të paregjistruar dhe luftën kundër ekonomisë informale në sektorin e turizmit.
Kompanitë e interesuara mund t’i dorëzojnë ofertat deri më 7 tetor, ndërsa afati për përfundimin e plotë të sistemit është 12 muaj nga nënshkrimi i kontratës. Zhvillimi dhe dorëzimi i TIS-it do të realizohet në gjashtë faza.
Mali i Zi humb miliona euro nga akomodimi i paregjistruar
Sipas një analize të Qeverisë së Malit të Zi dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), vendi humb rreth 86 milionë euro në vit për shkak të akomodimit privat të paregjistruar, evidencave jo të përditësuara, arkëtimit joefikas dhe mungesës së një sistemi qendror informativ për turizmin.
Në këtë shumë nuk janë përfshirë humbjet nga taksat turistike dhe të ardhurat indirekte.
Analiza, e cila bazohet në të dhënat e qarkullimit turistik për vitin 2024, është miratuar nga Qeveria në korrik të vitit të kaluar. Në të theksohet se mungesa e një platforme të centralizuar e vështirëson mbledhjen dhe shkëmbimin e të dhënave, si dhe kontrollin e ekonomisë informale.
Sistemet ekzistuese nuk komunikojnë me njëri-tjetrin
Aktualisht në sektorin e turizmit funksionojnë disa sisteme digjitale të ndara. Mes tyre janë regjistri i qëndrimeve deri në 90 ditë (RB-90), që menaxhohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, Regjistri Qendror i Turizmit nën Ministrinë e Turizmit, zgjidhje lokale si “Primatech”, “Oblak” dhe “Çikom”, si dhe sistemet hotelierike “Opera” dhe “Diventa”.
Në këtë infrastrukturë përfshihen edhe sistemet statistikore të Monstatit, sistemet e inspektimit JIIS dhe ROF, si dhe administrata elektronike e dokumenteve eDMS.
Megjithatë, këto sisteme nuk janë të ndërlidhura dhe institucionet nuk i shkëmbejnë të dhënat në kohë reale. Kjo shkakton futjen e përsëritur të të njëjtave të dhëna, evidenca të vjetruara dhe mospërputhje në statistikat për numrin e turistëve dhe netqëndrimeve.
TIS synon të rrisë të ardhurat nga turizmi
Sistemi i ri do të shërbejë si platformë qendrore për regjistrimin e turistëve dhe objekteve akomoduese, evidentimin e hyrjeve dhe daljeve, si dhe për llogaritjen dhe arkëtimin e taksave.
Sipas analizës, TIS do të mundësojë regjistrimin dhe çregjistrimin elektronik të turistëve, regjistrimin e objekteve, përllogaritjen dhe pagesën e taksave, si dhe integrimin me sistemet shtetërore dhe ato komerciale.
Pritet që sistemi të sjellë evidenca më të sakta dhe transparente, automatizim të procedurave, më pak administratë, ulje të ekonomisë informale dhe planifikim më të mirë të të ardhurave nga taksat.
Qeveria e ka përcaktuar krijimin e TIS-it si një nga prioritetet strategjike në kuadër të reformave dhe transformimit digjital të administratës publike.
Inspektorët do të kenë qasje në të dhëna në kohë reale
Një nga qëllimet kryesore të platformës është përmirësimi i punës së inspektorëve, të cilët aktualisht përballen me mungesë personeli dhe vështirësi në kontrollin e objekteve të paregjistruara dhe turistëve që nuk deklarohen.
Sipas analizës, shumë ofrues të akomodimit nuk i regjistrojnë mysafirët dhe shmangin pagesën e taksës së qëndrimit. Në të njëjtën kohë, edhe subjektet që duan të regjistrohen përballen në disa raste me procedura administrative të ndërlikuara dhe procese që ende bazohen kryesisht në dokumentacion fizik.
Në analizë thuhet gjithashtu se është vërejtur praktika e disa hoteleve për të riorganizuar objektet në njësi më të vogla, me qëllim shmangien e taksave më të larta dhe kompetencave të Ministrisë së Turizmit.
Me TIS-in, inspektorët në nivel qendror dhe lokal pritet të kenë një pasqyrë më të plotë dhe më të përditësuar të qarkullimit turistik, duke e bërë më të lehtë identifikimin e akomodimit të paregjistruar dhe kontrollin e pagesës së taksave.
Çmimi nuk do të jetë kriteri kryesor
Nga vlera totale prej 100 pikësh, çmimi do të përbëjë 30 pikë, ndërsa 70 pikët e tjera do të varen nga cilësia e ofertës, përkatësisht kualifikimet dhe përvoja e ekipit profesional që do të angazhohet.
Kompania e përzgjedhur do të duhet të paraqesë garanci për realizimin e kontratës në vlerën prej 10 për qind të shumës së kontratës me TVSH. Ajo gjithashtu do të jetë përgjegjëse për korrigjimin e çdo gabimi të evidentuar gjatë realizimit të projektit dhe për përpunimin e ruajtjen e të dhënave në përputhje me rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale.

Post a Comment
0Comments