Polici në arrest shtëpie dyshohet se ishte edhe në pushim mjekësor

Ulqin Info
By -
0

 



Ndihmës-komandanti për rendin dhe qetësinë publike në Departamentin e Sigurisë në Tivar, Lazar Cakoviq, është kapur në fund të shtatorit duke drejtuar një automjet zyrtar të policisë, ndërsa në këmbë mbante byzylykun elektronik të monitorimit.


Sipas raportimeve të “Vijesti”, në automjet ai dyshohet se kishte edhe armën dhe kartën zyrtare të policisë, ndonëse aktualisht është duke vuajtur një dënim me pesë muaj burgim në arrest shtëpie për keqtrajtim.


Në të njëjtën kohë, burime të “Vijesti” pretendojnë se Cakoviq nuk po paraqitet në punë, pasi figuron si i paaftë përkohësisht për punë, përkatësisht në pushim mjekësor. As Ministria e Punëve të Brendshme dhe as vetë Cakoviqi nuk kanë dhënë përgjigje për statusin e tij.


U ndalua nga kolegët në Tivar


Ngjarja ka ndodhur më 29 shtator, në zonën e Ilinës në Tivar. Sipas dëshmitarëve të cituar nga “Vijesti”, policët e kufirit po kontrollonin disa kantiere kur tentuan të ndalonin një Mercedes të zi me targa PG CG 503.


Sipas këtyre burimeve, drejtuesi fillimisht nuk iu bind urdhrit për të ndaluar. Më pas u konstatua se në timon ishte Cakoviqi, i cili pretendohet se u tha kolegëve se nuk kishte dokumente me vete.


Dëshmitarët pretendojnë se ai ishte me automjet zyrtar, ndërsa në çantën e tij ndodheshin arma dhe karta zyrtare e policisë. Ai gjithashtu mbante në këmbë byzylykun elektronik.


Sipas të njëjtave burime, Cakoviqi refuzoi ta hapte çantën. Në vendngjarje më pas mbërritën një drejtues i Departamentit të Sigurisë në Tivar dhe pjesëtarë të policisë intervenuese.


Megjithatë, sipas dëshmitarëve, automjeti dhe çanta nuk u kontrolluan dhe Cakoviqit iu lejua të vazhdonte rrugën, madje i shoqëruar nga një police.


Për ngjarjen, sipas burimeve të “Vijesti”, janë përpiluar edhe shënime zyrtare.


I dënuar me pesë muaj burgim


Sipas një vendimi të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Ulqin, Cakoviqi është dënuar me pesë muaj burgim për keqtrajtimin e një personi në ambientet e stacionit policor në Ulqin.


Ngjarja kishte ndodhur më 10 gusht 2022. Sipas vendimit gjyqësor, Cakoviqi, në cilësinë e zyrtarit policor, kishte goditur disa herë me grusht të mbyllur dhe më pas me këmbë personin e dëmtuar, i cili ishte ndaluar paraprakisht për prishje të rendit dhe qetësisë publike.


Gjykata kishte vendosur që dënimi të vuhej në ambientet ku banon Cakoviqi, pra në arrest shtëpie.


Sipas vendimit, ai nuk mund të largohet nga banesa përveç rasteve të lejuara me ligj. Nëse largohet në mënyrë të paautorizuar një herë për më shumë se gjashtë orë ose dy herë deri në gjashtë orë, pjesa e mbetur e dënimit mund të vuhet në institucionin e ekzekutimit të sanksioneve penale.


MUP-i nuk ka dhënë përgjigje


“Vijesti” i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të sqarojë statusin e Cakoviqit, përfshirë nëse ndaj tij është zhvilluar procedurë disiplinore dhe nëse është shqyrtuar statusi i tij i punës pas vendimit të formës së prerë.


Gazeta gjithashtu ka kërkuar të konfirmohet nëse Cakoviqi aktualisht po e vuan dënimin në arrest shtëpie, ndërsa njëkohësisht figuron në pushim mjekësor.


MUP-i është pyetur edhe nëse ai i ka dorëzuar kartën zyrtare, stemën, armën dhe pajisjet e tjera policore që i janë besuar për kryerjen e detyrës.


Deri në publikimin e raportimit, ministria nuk kishte dhënë përgjigje, ndërsa Cakoviqi nuk pranoi të komentojë rastin.


Ligji për punët e brendshme parashikon raste kur një zyrtar policor mund të pezullohet përkohësisht nga puna, ndërsa gjatë pezullimit i hiqen karta zyrtare, arma dhe pajisjet e tjera të besuara për kryerjen e detyrës.


Sipas raportimit të “Vijesti”, një vit pas dënimit, Cakoviqi ishte vlerësuar edhe si punonjësi më i mirë në sektorin e rendit dhe qetësisë publike.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)