Vetëm 34% e fëmijëve të lindur në vitin 2024 kanë marrë dozën e parë të vaksinës MMR

Ulqin Info
By -
0

 



Vetëm 34 për qind e fëmijëve të lindur në vitin 2024 dhe 55 për qind e atyre të lindur në vitin 2023kanë marrë dozën e parë të vaksinës MMR, tregojnë të dhënat e publikuara.


Kjo përqindje është dukshëm nën nivelin prej 95 për qind, i cili konsiderohet i nevojshëm për krijimin e imunitetit kolektiv dhe për parandalimin e përhapjes së epidemive.


Situata paraqet shqetësim të veçantë edhe për shkak se në rajon janë regjistruar raste dhe epidemi aktive të fruthit. Aktualisht, epidemi të fruthit janë aktive në Kosovë dhe Bullgari.


Vaksinimi në rajon


Në vendet e rajonit, mbulimi me dozën e parë të vaksinës MMR është:


  • Sllovenia – 95%
  • Kroacia – 90%
  • Kosova – 82%
  • Shqipëria – 81–83%
  • Serbia – 73%
  • Maqedonia e Veriut – 73%
  • Bosnjë e Hercegovina – 69%
  • Mali i Zi – 34%


Dallimi me objektivin prej 95 për qind është veçanërisht i madh te fëmijët e lindur në vitin 2024.


Nga cilat sëmundje mbron vaksina MMR?


Vaksina MMR mbron nga tri sëmundje infektive: fruthi, shytat dhe rubeola.


Fruthi është një sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse dhe në raste të rënda mund të shkaktojë pneumoni, dëmtime të trurit dhe, në raste të caktuara, edhe vdekje.


Shytat mund të shkaktojnë komplikime si meningjiti, humbja e dëgjimit dhe probleme të tjera shëndetësore.


Rubeola paraqet rrezik të veçantë gjatë shtatzënisë, pasi infeksioni mund të shkaktojë dëmtime të rënda te fetusi.


Sipas rekomandimeve të vaksinimit, fëmija duhet të marrë dozën e parë të MMR-së pasi të mbushë një vjeç, ndërsa doza e dytë jepet para fillimit të shkollës.


Për shkak të mbulimit të ulët me vaksinim, rritja e përqindjes së fëmijëve të vaksinuar shihet si një nga masat kryesore për uljen e rrezikut të përhapjes së fruthit dhe sëmundjeve të tjera që parandalohen me vaksinim.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)