Shoferi i autobusit që mbrëmë u përfshi në një aksident në rrugën magjistrale Mojkovc–Kollashin është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Themelore të Shtetit.
Bëhet fjalë për M.G. (53) nga Aleksinaci, i cili, pas kallëzimit penal, pritet të dërgohet te prokurori kujdestar për marrje në pyetje.
Aksidenti ndodhi rreth orës 20:30 në zonën e Štitarička Rijeka, në rrugën ndërmjet Mojkovcit dhe Kollashinit. Autobusi me targa të Budvës, BD BD 026, në pronësi të kompanisë “Eurocompass”, ka dalë nga trajektorja dhe ka goditur një masiv shkëmbor në anë të rrugës.
Në autobus ndodhej një grup nxënësish të shkollës fillore “Pavle Rovinski” nga Podgorica, të cilët ishin në ekskursion.
Sipas informacioneve zyrtare, në aksident janë lënduar udhëheqësi i ekskursionit Vasilije Šaroviq, tre fëmijë dhe një person tjetër i rritur.
Tre nxënësit dhe personi tjetër i rritur kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Pas trajtimit mjekësor, ata janë vlerësuar në gjendje të mirë të përgjithshme dhe janë liruar për të vazhduar shërimin në shtëpi.
Ndërkohë, Šaroviq ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është duke marrë trajtim mjekësor.
Prokuroria Themelore e Shtetit në Bijelo Polje po zhvillon procedurën lidhur me rrethanat e aksidentit, ndërsa shoferi do të merret në pyetje në kuadër të procedurës penale.

Post a Comment
0Comments