Vazhdon procedura gjyqësore për rastin e Drita Tafiq, Gjykata në Ulqin refuzon…

Ulqin Info
By -
0


 

ULQIN, 29 shtator 2026 – Në Gjykatën Themelore në Ulqin është mbajtur sot seanca përgatitore në procedurën kontestimore të iniciuar nga anëtarët e familjes së së ndjerës Drita Tafiq kundër Qendrës Klinike të Malit të Zi, me kërkesë për kompensimin e dëmit jomaterial për shkak të vdekjes së personit të afërt.


Sipas njoftimit të përfaqësuesit të autorizuar të familjes, avokatit Liridon Sefa, në seancën e mbajtur më 29 shtator janë shqyrtuar provat e propozuara dhe janë përcaktuar hapat e mëtejshëm për zhvillimin e procedurës.


Në kuadër të procedurës së provave, Gjykata ka urdhëruar sigurimin e dokumentacionit të plotë mjekësor lidhur me trajtimin e Drita Tafiq, si nga Spitali i Përgjithshëm në Tivar, ashtu edhe nga Qendra Klinike e Malit të Zi.


Familja paditëse ka propozuar gjithashtu kryerjen e një ekspertize mjekësore, duke kërkuar që ajo t’i besohet Bordit përkatës të Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Lubjanës. Përfaqësuesi i familjes e lidh këtë propozim edhe me konstatimin dhe mendimin e Komisionit për Kontroll të Jashtëzakonshëm të Jashtëm të Odës së Mjekëve të Sllovenisë, të datës 26 gusht 2025.


Sipas asaj që është paraqitur në padi, në dokumentin e Komisionit Slloven janë evidentuar lëshime të pretenduara gjatë trajtimit të Drita Tafiq në Qendrën Klinike të Malit të Zi dhe është konstatuar se, sipas vlerësimit të Komisionit, nuk janë respektuar të gjitha standardet mjekësore gjatë trajtimit.


Këto konstatime janë pjesë e materialeve të paraqitura në procedurë, ndërsa në kuadër të procesit gjyqësor pritet që çështjet mjekësore të vlerësohen përmes ekspertizës që do të caktohet nga Gjykata.


Vendimin se cilit institucion profesional do t’i besohet kryerja e ekspertizës mjekësore do ta marrë gjyqtari i çështjes në vijim të procedurës.


Gjykata në Ulqin do të vazhdojë shqyrtimin e çështjes


Një nga çështjet e trajtuara në seancën përgatitore ka qenë edhe kundërshtimi i kompetencës territoriale të Gjykatës Themelore në Ulqin, i paraqitur nga pala e paditur, Qendra Klinike e Malit të Zi.


Sipas përfaqësuesit të familjes së Drita Tafiq, Gjykata Themelore në Ulqin e ka refuzuar këtë kundërshtim. Për rrjedhojë, procedura kontestimore do të vazhdojë pranë kësaj gjykate.


Gjykata ka urdhëruar gjithashtu sigurimin e shkresave të lëndës së formuar pranë Prokurorisë së Lartë të Shtetit, lidhur me trajtimin dhe vdekjen e Drita Tafiq.


Procedura pranë Prokurorisë kompetente të Shtetit vijon të jetë në zhvillim. Procedura civile, ndërkaq, zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe paralelisht me procedurën penale.


Do të dëgjohen dëshmitarë dhe do të administrohen prova të tjera


Në kuadër të propozimeve të palës paditëse është kërkuar edhe dëgjimi i dëshmitarëve lidhur me rrethanat që kanë rëndësi për vërtetimin e gjendjes faktike.


Pas seancës përgatitore është caktuar edhe seanca e shqyrtimit kryesor. Në këtë seancë pritet të vazhdohet me administrimin e provave të propozuara dhe të caktuara nga Gjykata, përfshirë dokumentacionin mjekësor, dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat e tjera.


Sa i përket ekspertizës mjekësore, mbetet të merret vendimi i gjyqtarit se cilit institucion profesional do t’i besohet kryerja e saj.


Përfaqësuesi i familjes ka theksuar se, duke qenë se procedurat gjyqësore dhe ajo pranë Prokurorisë janë ende në zhvillim, familja nuk do të japë vlerësime për rezultatin e ardhshëm të tyre dhe nuk do të bëjë publike hollësi të provave që do të shqyrtohen nga organet kompetente.


Në të njëjtën kohë, familja ka bërë të ditur se komunikimi i mëtejshëm me publikun do të jetë i karakterit informues dhe do të zhvillohet brenda kufijve që nuk cenojnë zhvillimin e papenguar të procedurave.


Përfaqësuesi i autorizuar ka theksuar gjithashtu se do të mbrohen privatësia, dinjiteti dhe ndjenjat e familjarëve të Drita Tafiq, veçanërisht të fëmijëve të saj të mitur, me qëllim që ata të mos ekspozohen ndaj presionit të panevojshëm publik apo shqetësimit shtesë.


Familja, sipas deklarimit të avokatit Liridon Sefa, do të vazhdojë realizimin e të drejtave dhe interesave të saj juridike pranë institucioneve kompetente, duke respektuar rregullat procedurale dhe parimet e zhvillimit të paanshëm të procedurës.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)