Komuna e Ulqinit dhe ajo e Grosetos në Itali kanë hedhur një hap të ri drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy komuniteteve, përmes nënshkrimit të një Marrëveshjeje bashkëpunimi dhe miqësie.
Me rastin e vizitës së delegacionit italian, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, së bashku me nënkryetarët Petar Deliq dhe Beqir Selaj, si dhe deputetin në Kuvendin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pritën përfaqësuesit e Grosetos.
Delegacioni italian kryesohej nga Fausto Turbati, kryetar i Këshillit Bashkiak të Grosetos, ndërsa pjesë e tij ishin edhe shefi i kabinetit të kryetarit, Arturo Bernardini, senatori Manuel Veskovi, sipërmarrësi nga sektori agroushqimor Federiko Guidoti, Daniela Venji dhe Martina Kapeleti.
Gjatë takimit u diskutua për mënyrat e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy qyteteve, me fokus të veçantë te turizmi, kultura, sporti, arsimi, bujqësia dhe prodhimi vendor.
Marrëveshja e nënshkruar synon të krijojë hapësirë për shkëmbim përvojash dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fusha me interes për të dyja komunitetet.
Nga Komuna e Ulqinit bëjnë të ditur se ky dokument përbën hapin e parë drejt një bashkëpunimi më të ngushtë dhe mund të shërbejë si bazë për një proces të ardhshëm binjakëzimi ndërmjet Ulqinit dhe Grosetos.
Nimanbegu ka shprehur kënaqësinë për vizitën e delegacionit italian dhe për vendosjen e bashkëpunimit institucional. Ai ka theksuar rëndësinë e lidhjes së Ulqinit me komunitete të tjera lokale evropiane dhe krijimit të mundësive të reja për projekte që mund të jenë në interes të qytetarëve të të dyja komunave.
Palët kanë shprehur gatishmërinë që marrëveshja të mos mbetet vetëm në nivel institucional, por të pasohet me aktivitete dhe iniciativa konkrete që do të forcojnë lidhjet mes Ulqinit dhe Grosetos.



Post a Comment
0Comments