Turistja franceze shpëtohet në Ulqin, profesoresha nga Novi Pazari i jep ndihmën e parë

Ulqin Info
By -
0


 

Një turiste franceze është shpëtuar pasi rrezikoi të mbytej në Ulqin, ndërsa reagimi i shpejtë i një profesoreshë nga Novi Pazari rezultoi vendimtar në momentet kritike.


Ngjarja ndodhi më 20 shtator, në plazhin pranë hotelit Otrant, ku pushuesit nxorën nga deti një grua të moshuar pa shenja jete. Ajo nuk merrte frymë dhe nuk reagonte.


Mes personave që ndodheshin në vend ishte edhe Fetija Feta Jakupoviq, mikrobiologe dhe profesoreshë në Shkollën e Mjekësisë në Novi Pazar. Sapo pa gjendjen e turistas, ajo ndërhyri menjëherë dhe nisi reanimimin.


Pavarësisht se disa nga të pranishmit mendonin se gruaja nuk mund të shpëtohej, Jakupoviq vazhdoi pa ndërprerje me masazhin kardiak dhe dhënien e ndihmës së parë.


“Teksa luftoja për jetën e saj, qaja si fëmijë. Mendova për nënën time. I thashë vetes: ‘Nuk do të lejoj të largohet dhe pikë!’ Ndjeva një forcë të madhe dhe një besim të thellë se Allahu nuk do të lejonte që kjo jetë të shuhej”, ka rrëfyer ajo.


Pas disa minutash, turistja nisi të marrë frymë


Pas rreth katër minutash reanimim, turistja nxori ujë dhe filloi sërish të merrte frymë. Më pas iu rikthye pulsi dhe gjendja e saj filloi të stabilizohej gradualisht.


Sipas dëshmitarëve, ekipi i Urgjencës Mjekësore mbërriti rreth 40 minuta më vonë dhe mori përsipër kujdesin për pacienten.


Në momentin kur gruaja rifilloi të merrte frymë, të pranishmit e përshëndetën me duartrokitje ndërhyrjen e Jakupoviqit.


Reagimi i menjëhershëm, njohuritë mjekësore dhe këmbëngulja e profesoreshës ishin vendimtare në një situatë ku çdo sekondë mund të kishte rëndësi për jetën e turistas.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)