Një ortek i fuqishëm ka goditur një kamp bazë në malin Himlung Himal në Nepal, duke shkaktuar vdekjen e të paktën katër personave, ndërsa 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Orteku ka përfshirë kampin të dielën në mëngjes, në një lartësi prej 7.126 metrash, në distriktin Manang. Në kamp ndodheshin shtetas nepalezë, përfshirë alpinistë dhe pjesëtarë të stafit ndihmës, të cilët ishin dërguar paraprakisht për përgatitjen e bazës, sigurimin e rrugës dhe vendosjen e litarëve për ekspeditat.
Dy trupat e parë u gjetën të dielën, ndërsa dy të tjerë u zbuluan të hënën, bëri të ditur Shoqata Kombëtare e Udhërrëfyesve Malorë të Nepalit, e cila ka dërguar ekipe shpëtimi në zonë.
Kampi është mbuluar nga mbi katër metra borë
Operacioni i kërkim-shpëtimit po zhvillohet në kushte jashtëzakonisht të vështira. Në zonën pranë majës, e cila ndodhet afër kufirit mes Nepalit dhe Tibetit, gjatë ditëve të fundit ka pasur reshje të dendura bore.
Sipas informacioneve të ekipeve në terren, kampi bazë është mbuluar nga rreth 4.3 metra borë, ndërsa temperaturat e ulëta dhe kushtet e paqëndrueshme po e vështirësojnë ndjeshëm operacionin.
Organizatori i ekspeditës, Himalaya Holidays Trekking, ka bërë të ditur se të paktën tetë pjesëtarë të ekipit të tij rezultojnë të zhdukur. Ndërkohë, Shoqata e Udhërrëfyesve Malorë ka njoftuar se 12 anëtarë të stafit të kuzhinës ende nuk janë gjetur.
Për shkak të trashësisë së madhe të borës, temperaturave të ulëta dhe rrezikut të ortekëve të tjerë, operacionet e kërkimit janë ndërprerë përkohësisht. Ekipet e shpëtimit kanë deklaruar se do ta monitorojnë situatën dhe do të rifillojnë kërkimet sapo kushtet të lejojnë.
Rrezik i shtuar nga ortekët në Nepal
Reshjet e dendura të borës gjatë ditëve të fundit kanë krijuar kushte të rrezikshme në disa zona malore të Nepalit. Për shkak të rritjes së rrezikut nga ortekët, alpinistë të shumtë janë larguar ditët e fundit edhe nga mali Manaslu, i cili është mali i tetë më i lartë në botë.

Post a Comment
0Comments