Një stuhi e fuqishme që ka ardhur nga Oqeani Atlantik ka përfshirë verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke sjellë erëra të forta, reshje intensive dhe përmbytje në zonat bregdetare. Meteorologët paralajmërojnë se kushtet e vështira do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës, ndërsa në zonën e Nju Jorkut priten ndikime të tjera të motit të keq.
Më shumë se 70 mijë konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Meteorologjisë së SHBA-së ka paralajmëruar për përmbytje të rrezikshme përgjatë bregdetit të Atlantikut të mesëm, veçanërisht në Nju Xhersi dhe Delaver.
Sipas meteorologëve, niveli i lartë i detit dhe dallgët e fuqishme mund të shkaktojnë përmbytje gjatë disa cikleve të baticës dhe zbaticës. Banorëve në zonat e ulëta pranë bregdetit u është kërkuar të përgatiten për ujëra që mund të mbulojnë rrugët dhe të prekin banesat dhe objektet afariste.
Situata është bërë veçanërisht e rëndë në Surf City të Nju Xhersit, ku dallgët kanë depërtuar në rrugë dhe në hyrjet e disa shtëpive.
Në Manaskuan, rreth 55 kilometra më në veri, janë përmbytur disa rrugë, ndërsa kryetari i komunës, Mike Mangan, paralajmëroi se banorët mund të përballen me sasi të mëdha uji për një periudhë të zgjatur. Në disa zona të ulëta ishte dhënë më herët edhe urdhër për evakuim.
Në qytetin bregdetar Sea Bright, autoritetet lokale po përgatiten për erëra deri në rreth 80 kilometra në orë dhe përmbytje që në disa rrugë mund të arrijnë deri në 1.8 metra. Për personat e evakuuar do të hapet qendra lokale rekreative.
Meteorologu Matthew Belk nga Shërbimi Kombëtar i Meteorologjisë në Norton të Masaçusetsit tha se në zonën e Kepit Kod, Martha’s Vineyard dhe Nantucket, erërat mund të arrijnë nga 97 deri në 105 kilometra në orë. Në rajonin e Bostonit priten shpejtësi prej rreth 80 deri në 89 kilometra në orë, ndërsa në zonat më në brendësi nga 56 deri në 64 kilometra në orë.
Sipas tij, ndikimi i stuhisë do të jetë më i madh sa më pranë bregdetit të ndodhen banorët.
Meteorologët kanë paralajmëruar gjithashtu se fakti që gjethet ende nuk kanë rënë nga pemët mund ta shtojë rrezikun. Degët me gjethe krijojnë rezistencë më të madhe ndaj erës, duke rritur mundësinë e thyerjes së tyre, dëmtimit të linjave elektrike dhe bllokimit të rrugëve.
Në brigjet e Nju Xhersit dhe Delaverit, erërat mund të arrijnë deri në 96.6 kilometra në orë, ndërsa shpejtësi të ngjashme parashikohen edhe në juglindje të Konektikatit dhe në pjesën lindore të Long Islandit në shtetin e Nju Jorkut.
Moti i keq ka shkaktuar edhe probleme në transport. Të premten janë anuluar më shumë se 200 fluturimedrejt aeroporteve të Bostonit, Nantucketit, Martha’s Vineyard dhe Nju Jorkut, ndërsa janë paralajmëruar anulime të tjera.
Edhe trafiku detar është prekur nga erërat e forta dhe deti i trazuar. Janë anuluar udhëtime me traget që lidhin Kep Kodin me ishujt Nantucket dhe Martha’s Vineyard, ndërsa në Rhode Island janë anuluar gjithashtu linjat detare drejt ishullit Block.
Meteorologët paralajmërojnë se kushtet e rrezikshme do të vazhdojnë gjatë fundjavës, me rrezik për përmbytje të reja, dëmtime nga era dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa pjesë të verilindjes së SHBA-së.

Post a Comment
0Comments