Pesë paciente janë paraqitur në Qendrën Klinike të Malit të Zi (KCCG) me simptoma që përputhen me pamjen klinike të botulizmit, pas një procedure estetike me botoks. Katër prej tyre janë shtruar në spital, ndërsa një paciente ka refuzuar hospitalizimin.
Nga KCCG kanë bërë të ditur se pacientet kanë pasur dobësi trupore, ndjenjë mungese ajri, ptozë (rënie të qepallave), shikim të turbullt, tharje të gojës, vështirësi në gëlltitje dhe në të folur, ndërsa te njëra paciente është regjistruar edhe dobësi e gjymtyrëve të sipërme.
Katër pacientet e hospitalizuara janë aktualisht në gjendje stabile, pa përkeqësim të simptomave dhe të pamjes klinike.
Në qendër të rastit është Julija Kušnereva, e cila dyshohet se u ka aplikuar pacienteve botoks të siguruar ilegalisht jashtë një institucioni shëndetësor. Sipas të dhënave të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Malit të Zi, ajo nuk kishte as kërkesë dhe as vendim për barazvlefshmërinë e kualifikimit të huaj.
Fakulteti i Mjekësisë ka konfirmuar se në evidencat zyrtare nuk ekziston kërkesë apo vendim për barazvlefshmërinë e kualifikimit të huaj në emër të Kušnerevës.
Nga ana tjetër, Dhoma e Mjekëve e Malit të Zi ka theksuar se njohja e diplomës së huaj nuk nënkupton automatikisht të drejtën për ushtrimin e profesionit në vend. Sipas tyre, për këtë kërkohen edhe plotësimi i kushteve të tjera ligjore, përfshirë barazvlefshmërinë e kualifikimit profesional dhe licencën e Dhomës kompetente.
Dyshime për preparatin “Dysport”
Dyshimet se pacienteve u është aplikuar një preparat i pasigurt janë shtuar pas njoftimit të Institutit për Ilaçe dhe Pajisje Mjekësore të Malit të Zi (CInMED).
Ky institucion ka paralajmëruar se preparati “Dysport”, i cili dyshohet se është siguruar jashtë kanaleve të ligjshme të furnizimit, është ndër barnat për të cilat janë identifikuar më herët seri të falsifikuara në disa vende.
CInMED ka theksuar se barnat e siguruara nga burime të paverifikuara paraqesin rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht barnat biologjike si “Dysport”, për të cilat kërkohen kushte të veçanta transporti dhe ruajtjeje.
Instituti ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së “zinxhirit të ftohtë”, pasi ndërprerja e kushteve të përcaktuara të temperaturës mund të ndikojë në sigurinë dhe cilësinë e barit.
Gjykata refuzoi masat, Prokuroria bëri ankesë
Gjykata Themelore në Podgoricë ka refuzuar propozimet e Prokurorisë Themelore të Shtetit për caktimin e masave të mbikëqyrjes ndaj Dražen Lakićević dhe Julija Kušnerevës.
Prokuroria ka paraqitur ankesë ndaj këtij vendimi, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Sipas të dhënave të publikuara, Lakićević ka deklaruar se “Dysport”-in e siguronte nga një person nga Shqipëria ose Kosova, i cili ia dërgonte përmes shoferëve të autobusëve ose taksive.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të rastit, përfshirë origjinën, autenticitetin dhe mënyrën e sigurimit të preparatit të përdorur gjatë trajtimeve estetike.

Post a Comment
0Comments