Një 28-vjeçare nga Brazili është gjetur e vdekur në një dhomë hoteli në Zagreb, ndërsa rrethanat e vdekjes së saj ende nuk janë sqaruar.
Ketlin Izabel Beker ishte larguar nga Brazili për të ardhur në Evropë, pasi kishte marrë një ofertë pune në Serbi. Megjithatë, puna nuk u realizua dhe, sipas familjes, më pas ajo u dërgua në Kroaci nga persona identiteti i të cilëve ende nuk dihet.
Ketlin u gjet e vdekur më 22 gusht në një hotel në Zagreb. Shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar.
Sipas mediave braziliane, rasti është raportuar në policinë e Zagrebit, ndërsa sendet personale të 28-vjeçares janë sekuestruar në kuadër të hetimeve. Familja ka kërkuar ndihmën e Policisë Federale të Brazilit, e cila nuk ka konfirmuar nëse ka nisur një hetim zyrtar, duke thënë se nuk komenton raportime apo hetime të mundshme në zhvillim.
U nis drejt Serbisë për punë
Ketlin ishte larguar nga Brazili më 29 prill, pasi kishte marrë ofertën për punë në Serbi. Sipas nënës së saj, Geruza Beker, vajza dëshironte të fitonte para për të ndihmuar babanë e saj, i cili vuante nga osteomieliti dhe kishte nevojë për protezë.
Pas mbërritjes në Serbi, ajo mësoi se vendi i punës për të cilin kishte udhëtuar ishte tashmë i zënë. Ketlin i kishte treguar nënës se puna kishte dështuar dhe se ishte shumë e shqetësuar, pasi nuk dinte çfarë të bënte më tej.
Familja pretendon se më pas ajo u dërgua në Kroaci nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas familjarëve, 28-vjeçarja kishte marrë edhe kërcënime para vdekjes. Deri tani nuk është bërë e ditur se nga kush vinin këto kërcënime dhe nëse kishin lidhje me vdekjen e saj.
Familja ka ngritur gjithashtu dyshime për trafikim të mundshëm të qenieve njerëzore dhe po përpiqet të zbardhë rrethanat e udhëtimit të Ketlin në Evropë.
Një tjetër pikë që familjarët kërkojnë ta sqarojnë është fati i një gruaje tjetër që kishte udhëtuar së bashku me Ketlin, për të cilën deri tani nuk kanë marrë informacion të qartë.

Post a Comment
0Comments