Mali i Zi renditet ndër vendet evropiane ku çmimi i benzinës është relativisht i ulët. Sipas të dhënave të paraqitura në hartën evropiane të çmimeve të karburanteve, më 23 shtator një litër benzinë 95 oktanëshe në Mal të Zi kushtonte 1.74 euro.
Në vendet e rajonit, çmimet ndryshojnë nga një shtet në tjetrin. Në Serbi, një litër benzinë kushton 1.78 euro, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë 1.70 euro. Në Kroaci çmimi është i njëjtë me atë të Malit të Zi, 1.74 euro, ndërsa në Shqipëri arrin në 2.15 euro për litër.
Dallimet bëhen edhe më të dukshme kur krahasohen çmimet me vendet e Evropës Perëndimore. Në Francë, një litër benzinë kushton 2.17 euro, ndërsa në Spanjë 1.93 euro.
Kjo do të thotë se benzina në Mal të Zi është 43 centë më e lirë për litër se në Francë dhe 19 centë më e lirë se në Spanjë.
Me çmimin prej 1.74 euro për litër, Mali i Zi ndodhet nën nivelin e çmimeve të benzinës në një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore dhe Veriore, ndërsa në rajon çmimi është më i lartë se në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe më i ulët se në Serbi e Shqipëri.
Norvegjia me çmimin më të lartë
Sipas të dhënave të përfshira në grafik, çmimi më i lartë i benzinës është regjistruar në Norvegji, ku një litër kushton 2.76 euro.
Në skajin tjetër ndodhet Rusia, me çmim prej vetëm 0.77 euro për litër.
Krahasimi tregon se çmimi i benzinës në Mal të Zi, prej 1.74 euro për litër, mbetet dukshëm më i ulët se në disa prej tregjeve më të shtrenjta evropiane.

Post a Comment
0Comments