Ministrja e Punës dhe Dialogut Social, Naida Nišiq, u ka thënë përfaqësuesve të sindikatave se Qeveria tashmë e konsideron të pranueshme rritjen e vlerës së llogaritjes së koeficientit për paga, nga 90 në 100 euro.
Sipas mënyrës aktuale të përllogaritjes, një ndryshim i tillë do të nënkuptonte një rritje prej rreth 10 për qind të pagave për të punësuarit. Megjithatë, ndikimi real mund të jetë më i kufizuar nëse miratohet paralelisht propozimi për rritjen e pagave minimale sipas nivelit të arsimit, në 1.000, 1.250 dhe 1.400 euro.
Për një pjesë të madhe të të punësuarve, paga e llogaritur duke shumëzuar koeficientin me vlerën e re do të mbetej nën pragjet e propozuara të pagës minimale. Në një situatë të tillë, paga faktike do të përcaktohej nga niveli minimal i miratuar dhe jo nga rritja e vlerës së koeficientit.
Propozimi për rritjen e kësaj vlere është kundërshtuar disa herë gjatë vitit të fundit, në kuadër të negociatave për Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive (OKU). Marrëveshja aktuale ka skaduar më 1 maj, pas ndërprerjes së dialogut social.
Ndërkohë, sipas raportimit të Vijesti, Unioni i Punëdhënësve nuk ka marrë pjesë në takimin e fundit me sindikatat. Përfaqësuesit e tij më herët kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në dialogun social dhe në punën e Këshillit Social deri në zhvillimin e një takimi me kryeministrin Milojko Spajiq dhe sqarimin e ndryshimeve të propozuara në paketën ligjore të njohur si “Euro Model”.
Për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së re të Përgjithshme Kolektive dhe vlerës së rritur të koeficientit, nevojitet edhe nënshkrimi i Unionit të Punëdhënësve.
OKU-ja përcakton një sërë të drejtash të rëndësishme për punonjësit. Ndër to është edhe mënyra e llogaritjes së kompensimeve për punën jashtë orarit, gjatë festave, kujdestaritë dhe gatishmërinë, të cilat sipas marrëveshjes llogariten mbi pagën minimale dhe jo si pjesë e saj.

Post a Comment
0Comments