Një debat për një shezlon në një plazh pranë Athinës përfundoi tragjikisht, pasi një 82-vjeçar humbi jetën pas një përleshjeje me një pensionist 76-vjeçar.
Ngjarja ndodhi të dielën në plazhin e Vuliagmenit, ku dy burrat u përfshinë në një konflikt për vendet e plazhit. Sipas dëshmitarëve, situata u përshkallëzua dhe kaloi në përplasje fizike.
82-vjeçari kishte mbërritur në plazh së bashku me bashkëshorten dhe kishte zënë një nga vendet. Më vonë aty kanë ardhur 76-vjeçari dhe një grua 21-vjeçare që e shoqëronte. Sipas raportimeve, ata kishin me vete edhe një kartë invaliditeti.
Vendet në këtë plazh janë falas, por funksionon parimi që vendin e merr ai që arrin i pari. Pikërisht kjo çështje dyshohet se shkaktoi debatin mes dy palëve.
Dëshmitarët: Dëgjuam britma dhe pamë përleshjen
Sipas personave që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, tensionet u rritën shpejt dhe dy burrat u përfshinë në një konflikt fizik.
Në mes të përleshjes, 82-vjeçari papritur u rrëzua në tokë. Ekipet mjekësore mbërritën menjëherë dhe tentuan ta reanimonin, por përpjekjet nuk dhanë rezultat.
Dëshmitarët kanë treguar se fillimisht dëgjuan britma dhe, kur shkuan për të parë se çfarë po ndodhte, panë përleshjen.
Sipas dëshmive të raportuara, para momentit kur 82-vjeçari pësoi kolaps, dyshohet se kishte pasur edhe një përplasje fizike me shoqëruesen 21-vjeçare të pensionistit tjetër, gjë që më tej kishte tensionuar situatën.
82-vjeçari u dërgua për ndihmë mjekësore, por ndërroi jetë në spital. Rrethanat e sakta të vdekjes dhe përgjegjësia për ngjarjen po hetohen nga autoritetet greke.

Post a Comment
0Comments