Kontrolle të shtuara me radar, ndëshkohen 224 shoferë brenda dy ditësh

Ulqin Info
By -
0


 


Policia e Malit të Zi ka ndëshkuar 224 shoferë për tejkalim të shpejtësisë gjatë kontrolleve të shtuara me radar, të zhvilluara në dy ditët e fundit. Pesë drejtues automjetesh janë arrestuar për tejkalim të kufirit maksimal të lejuar të shpejtësisë.


Sipas Drejtorisë së Policisë, gjatë aksionit janë kontrolluar afro 500 automjete, duke përdorur sisteme moderne radarësh që regjistrojnë dhe evidentojnë automatikisht shkeljet, pa pasur nevojë të ndalohen automjetet.


Radarët do të vendosen në lokacione të ndryshme


Nga Drejtoria e Policisë bëjnë të ditur se sistemet e radarëve, të cilat tashmë përdoren çdo ditë, do të vendosen në lokacione dhe akse të ndryshme rrugore në të gjithë Malin e Zi.


Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet segmenteve ku regjistrohen shpesh tejkalime të shpejtësisë dhe ku ekziston rrezik më i madh për aksidente trafiku.


Sipas policisë, qëllimi i këtyre kontrolleve nuk është vetëm zbulimi dhe ndëshkimi i shkeljeve, por edhe parandalimi i aksidenteve, përmirësimi i kulturës së trafikut dhe ndërgjegjësimi i shoferëve për rëndësinë e sjelljes së përgjegjshme në rrugë.


Kontrollet do të intensifikohen deri në fund të vitit


Policia ka njoftuar se gjatë muajit tetor dhe deri në fund të vitit do t’i shtojë më tej kontrollet me radar në të gjithë vendin.


Ndaj shoferëve që shkelin rregullat do të zbatohen masat e parashikuara me Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor, me fokus të veçantë te shkeljet që rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.


Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve.

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)