Rriten çmimet botërore të ushqimeve, Ministria e Bujqësisë: Po e analizojmë seriozisht situatën

Ulqin Info
By -
0


Të dhënat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) për rritjen e indeksit global të çmimeve të ushqimeve me 2.5 për qind krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, tregojnë se presionet në tregun ndërkombëtar të ushqimeve po shtohen.


Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave në Mal të Zi thonë se situata po analizohet me vëmendje, veçanërisht për shkak të varësisë së konsiderueshme të vendit nga importi.


Sipas të dhënave më të fundit të FAO-s, indeksi botëror i çmimeve të ushqimeve në gusht arriti në 133.3 pikë, duke shënuar rritje prej 1.9 për qind në raport me korrikun dhe 2.5 për qind krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.


Rritja është regjistruar në të pesë kategoritë që përfshin indeksi: drithërat, vajrat, mishi, produktet e qumështit dhe sheqeri, megjithëse ritmi i rritjes ndryshon nga një kategori në tjetrën.


Megjithatë, nga ministria theksojnë se indeksi i FAO-s mat çmimet ndërkombëtare të produkteve bazë ushqimore dhe jo çmimet e të gjithë shportës së konsumatorit në dyqane.


Sipas tyre, një rritje e indeksit ndërkombëtar nuk do të thotë se çmimet me pakicë në Mal të Zi rriten automatikisht dhe në të njëjtën masë. Në këtë proces ndikojnë kontratat e furnizimit, rezervat ekzistuese, origjina e mallrave, shpenzimet e transportit, energjisë dhe përpunimit, si dhe niveli i konkurrencës në tregun vendas.


Masat për monitorimin e tregut


Në Ministrinë e Bujqësisë vlerësojnë se mbrojtja e konsumatorëve nga rritja e çmimeve nuk mund t’u lihet vetëm qytetarëve dhe aftësisë së tyre për të përshtatur mënyrën e blerjes.


Sipas tyre, nevojitet një kombinim i furnizimit të qëndrueshëm, konkurrencës efektive dhe mbështetjes për prodhimin vendas, krahas ndihmës së targetuar për familjet që një pjesë të madhe të të ardhurave e shpenzojnë për ushqim.


Në periudhën afatshkurtër, prioritet konsiderohet sigurimi i burimeve të ndryshme të furnizimit, transparenca e çmimeve dhe parandalimi i praktikave të paligjshme në treg.


Ministria po punon gjithashtu në përmirësimin e kuadrit rregullator për tregun e produkteve bujqësore dhe në ngritjen e një sistemi për monitorimin e tregut, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për tregtinë, konkurrencën dhe mbikëqyrjen inspektuese.


Një nga prioritetet e politikës bujqësore, sipas ministrisë, është rritja e ofertës vendase në sektorët ku Mali i Zi ka potencial prodhues.


Në këtë drejtim, mbështeten rritja e produktivitetit të fermave, sigurimi i blerjes së prodhimeve, lidhja më e mirë e prodhuesve me sektorin tregtar dhe turizmin, si dhe reduktimi i humbjeve gjatë magazinimit dhe shpërndarjes.


Rëndësi i kushtohet edhe punës së shërbimeve këshilluese, veçanërisht në edukimin e fermerëve për përdorimin më racional të ujit, plehrave dhe energjisë, përshtatjen e prodhimit me kushtet klimatike dhe përdorimin e zgjidhjeve që mund të ulin kostot dhe humbjet.


Sistemi i ri për monitorimin e çmimeve


Në lidhje me masat konkrete për parandalimin e një rritjeje më të madhe të çmimeve në Mal të Zi, Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se po punon për krijimin e një sistemi për monitorimin e tregut të produkteve bujqësore.


Fokusi do të jetë te mbledhja, verifikimi dhe analiza e rregullt e të dhënave për çmimet.


Sistemi informativ do të mundësojë dorëzimin elektronik të të dhënave, kontrollin e plotësisë dhe saktësisë së tyre, përpunimin dhe bashkimin e informacionit, si dhe krijimin e raporteve, grafikëve dhe analizave.


Parashikohet gjithashtu monitorimi i dorëzimit të të dhënave brenda afateve të përcaktuara, dërgimi i njoftimeve përkatëse dhe kthimi i të dhënave për plotësim ose korrigjim kur është e nevojshme.


Qëllimi është sigurimi i informacionit të shpejtë dhe të besueshëm, në mënyrë që ndryshimet në treg të identifikohen më herët dhe masat e politikës bujqësore të përgatiten në mënyrë më efikase.


Në të njëjtën kohë, po punohet për përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave me institucionet e tjera, përfshirë informacionin mbi importin dhe eksportin e produkteve bujqësore dhe ushqimore.


Lidhja e të dhënave për çmimet vendase me informacionin mbi sasinë, vlerën dhe origjinën e importevedo të ndihmojë në krijimin e një pasqyre më të plotë të zhvillimeve në treg dhe nivelit të ekspozimit të Malit të Zi ndaj ndryshimeve në tregun ndërkombëtar.


Mbështetja për bujqësinë


Ministria e Bujqësisë thekson se baza e mbështetjes për sektorin bujqësor përbëhet nga Buxheti Agroushqimor (Agrobuxheti), mbështetja paraaderuese përmes programit IPARD, si dhe programe të tjera ndërkombëtare.


Përmes këtyre mekanizmave financohen dhe mbështeten prodhimi bujqësor, investimet në fermat bujqësore dhe zhvillimi i sektorit të përpunimit.

 

Tags:

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)