Katerkoll: Diaspora pajis kabinetin e fizioterapisë të ambulancës

Ulqin Info
By -
0

 



Cilësia e shërbimeve shëndetësore për banorët e Vladimirit po përmirësohet ndjeshëm.


Falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin dhe diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambulanca në Vladimir është pajisur me një kabinet të ri fizioterapie dhe një aparat EKG diagnostikues bashkëkohor.


Ky investim jetik ka për qëllim t'u sigurojë qytetarëve kujdes shëndetësor sa më cilësor pranë vendbanimit të tyre, duke eliminuar nevojën për udhëtime në qendra të tjera për kontrolle apo terapi rutinë.


Udhëheqësi i institucionit shëndetësor në Ulqin, Kreshnik Mustafa, e vlerësoi lart këtë hap të rëndësishëm për komunitetin lokal:


-Prioriteti ynë kryesor ka qenë dhe mbetet afrimi i shërbimeve shëndetësore pranë qytetarëve.


Funksionalizimi i fizioterapisë në Vladimir është një arritje e madhe që lehtëson direkt jetën e pacientëve tanë-.


Projekti u realizua falë angazhimit bujar të bashkatdhetarëve tanë në mërgim, të cilët përmes veprave konkrete vazhdojnë të ruajnë lidhjen e fortë me vendlindjen:


-Misioni ynë është të jemi gjithmonë pranë komunitetit dhe institucioneve tona lokale. Investimi në shëndetësi është investim në të ardhmen dhe mirëqenien e çdo familjeje në Vladimir-, deklaroi Albert Salaj, përfaqësues i Shoqatës “ANA e Malit” (Nju Jork).


Përveç pajisjeve për kabinetin, ndihmë e jashtëzakonshme ka mbërritur edhe përmes një donacioni familjar të një aparati EKG dhe pajisjeve të lëvizshme për kujdesin në shtëpi:


-Pas bisedave me stafin mjekësor mbi nevojat urgjente të pacientëve, ndjemë detyrimin moral dhe njerëzor për të dhënë kontributin tonë.


Është kënaqësi e madhe që sot mund t'ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve mjekësore bashkëqytetarëve tanë-, deklaroi donatori Nail Osmani.


Shtëpia e Shëndetit e Ulqinit fton të gjithë banorët e kësaj zone që t'i shfrytëzojnë këto shërbime të reja në ambulancën lokale.


Një falënderim i përzemërt u drejtohet të gjithë donatorëve dhe stafit mjekësor për angazhimin e tyre bujar!

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)