Hodhi pesë litra AdBlue në rezervuarin e naftës, 40 sekonda i kushtuan 20 mijë euro

Ulqin Info
By -
0


 


Një gabim i bërë në një pikë karburanti i kushtoi shumë shtrenjtë një drejtuesjeje nga Norvegjia. Ajo hodhi pesë litra AdBlue në rezervuarin e një Mercedes V-Class me naftë, ndërsa kostoja e riparimit përfundoi në plot 20.450 euro.


Gabimi u kuptua vetëm pasi automjeti kishte punuar për rreth 40 sekonda. Motori u fik dhe në panelin e instrumenteve u shfaqën disa sinjale paralajmëruese. Sipas mediave norvegjeze, dëmi i shkaktuar në sistem arriti në rreth 20 mijë euro.


Në këtë model, hapjet për mbushjen e naftës dhe AdBlue ndodhen pranë njëra-tjetrës. Në teori, dallimi mes tyre është i dukshëm: kapaku i AdBlue zakonisht është blu dhe gryka e mbushjes është më e ngushtë se ajo e rezervuarit të naftës.


Drejtuesja deklaroi se zakonisht është shumë e kujdesshme, por këtë herë, për një arsye që nuk e shpjegon dot, i ngatërroi dy hapjet.


AdBlue është një lëng i përdorur në shumë automjete moderne me motor dizel, me qëllim reduktimin e emetimeve të dëmshme të gazrave.


Gabimi që e përkeqësoi situatën


Nëse gabimi do të ishte konstatuar menjëherë pas mbushjes dhe motori nuk do të ishte ndezur, dëmi mund të ishte shumë më i vogël. Në një rast të tillë, zakonisht do të mjaftonte zbrazja dhe pastrimi i rezervuarit dhe tubacioneve, ndërsa në varësi të situatës mund të kërkohej edhe zëvendësimi i filtrit të karburantit ose pompës.


Problemi u përkeqësua ndjeshëm pasi motori u ndez.


AdBlue fillon të qarkullojë përmes sistemit të karburantit dhe mund të arrijë deri te pompa dhe komponentët e sistemit të injektimit. Lëngu nuk ka veti lubrifikuese dhe mund të shkaktojë dëmtime serioze në pompën e karburantit.


Më tej, kristalizimi i AdBlue mund të ndikojë në tubacionet dhe komponentët e tjerë të sistemit. Nëse arrin deri te injektorët, mund t’i bllokojë dhe të shkaktojë dëmtime të mëtejshme.


Një tjetër rrezik lidhet me përbërjen e AdBlue. Lëngu përbëhet nga 32.5 për qind ure dhe 67.5 për qind ujë të demineralizuar. Nëse një sasi e tij futet në cilindrat e motorit, mund të shkaktojë probleme serioze mekanike, përfshirë goditje hidraulike, e cila në raste të rënda mund të dëmtojë pistonët dhe shufrat lidhëse.


Në rastin e automjetit nga Norvegjia, Mercedes V-Class i vitit 2021 vazhdoi të punonte rreth 40 sekonda pas ndezjes. Më pas motori u fik dhe nuk u ndez më.


Automjeti u dërgua në një servis të specializuar, ku diagnostikimi tregoi se ishte i nevojshëm zëvendësimi i të gjithë sistemit të karburantit dizel – nga rezervuari dhe pompa, deri te tubacionet dhe injektorët.


Fatura përfundimtare e riparimit: 20.450 euro.

Tags:

Post a Comment

0Comments

Post a Comment (0)