Pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi, të angazhuar në shuarjen e zjarrit në zonën e Vijezhës, nën Vojnik, ndërhynë dje nga ajri për të mundësuar nxjerrjen e sigurt të Milovan Miniqit, drejtues i rezervatit të gjuetisë pranë Shoqatës së Gjuetarëve “Dr Zoran Kesler” nga Nikshiqi.
Miniqi ndodhej me automjetin zyrtar në afërsi të drejtpërdrejtë të zonës së përfshirë nga zjarri.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi, helikopteri i Ushtrisë ndërhyri pak pas orës 13:00 dhe kreu operacione për shuarjen e zjarrit në të dyja anët e rrugës lokale. Ndërhyrja krijoi një korridor të sigurt përmes zonës së rrezikuar.
Pas ndërhyrjes nga ajri, Miniqi arriti të largohej me automjetin zyrtar nga zona e përfshirë nga zjarri.
Në deklaratën e tij, Miniqi vlerësoi profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e pilotëve të Ushtrisë së Malit të Zi, duke i falënderuar për ndërhyrjen që i mundësoi largimin e sigurt nga zona e rrezikut.
Nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë të ditur se Ushtria e Malit të Zi do të vazhdojë, në përputhje me kompetencat dhe kapacitetet në dispozicion, të mbështesë shërbimet përgjegjëse dhe banorët lokalë në përballjen me zjarret.
Mbështetja, siç theksohet, është veçanërisht e rëndësishme në situatat kur rrezikohet siguria e njerëzve dhe pronës.
Ministria e Mbrojtjes ka falënderuar pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi të angazhuar në zonat e zjarreve për profesionalizmin, përgjegjësinë dhe përkushtimin në kryerjen e detyrave.

Post a Comment
0Comments